Gjykata Speciale ka lëshuar një urdhër ndaj Policisë së Kosovës, për të dhënë përgjigje në detaje lidhur me mundësinë se nëse ata mund të sigurojnë mbrojtje në liri të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë, transmeton Insajderi.com.
Sipas urdhrit të lëshuar më 8 tetor, Policia e Kosovës kanë dy javë kohë nga kjo datë që t’i përgjijgen kërkesës së Dhomave të Specializuara.
“Duke pasur parasysh kushtet e propozuara nga të akuzuarit në lidhje me kërkesat e tyre për lirim të përkohshëm dhe pa paragjykuar çdo vendim që do të merret nga gjyqtari i procedurës paraprake në lidhje me vendimet e kthyera nga Gjykata e Apelit, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëron Policinë e Kosovës, siç specifikohet më tej në Shtojcën e këtij Urdhri, të sigurojë informacion”, thuhet në urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou.
Tutje, në këtë kërkesë, thuhet se informacioni nga gjyqtari paraprak është kërkuar në lidhje me autoritetin dhe aftësinë e Policisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjet e individëve që i nënshtrohen lirimit me kusht, dhe me rastet e mëparshme të zbatimit të kushteve që lidhen me lirimin e përkohshëm ose ndalimin e personave të akuzuar për krime të rënda.
Ndryshe, aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Në aktakuzës thuhet se midis marsit 1998 deri në shtator të vitit 1999, Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi gjithë Kosovën përmes frikësimit, keqtrajtimit, ushtrimit të dhunës dhe eliminimit të paligjshëm të atyrë që konsideroheshin si ushtarë./Insajderi.com