Gjykata Speciale: Nuk ka rrjedhje të informatave

Gjykata Speciale: Nuk ka rrjedhje të informatave

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në takimin e sotëm të mbyllur me të gjithë ambasadorët e shteteve evropiane të akredituar në kryeqytetin diplomatic të Holandës, ka ngritur alarm për fatin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Në raportimin konfidencial, pjesë të të cilit i publikuan disa media evropiane, gjyqtarja bullgare tha para ambasadorëve se në të ardhmen mund të ketë tentim serioz të zhvendosjes së Gjykatës Speciale në Prishtinë.

“Kjo sigurisht që do të vë në rrezik jetën dhe sigurinë e njerëzve që kanë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht, do të kishin një efekt tronditës mbi dëshmitarët të cilët mund të mos dëshirojnë më të paraqiten duke e bërë kështu të pamundur që Prokurori i Specializuar të vazhdojë me rastet e tij”, është shprehur ajo.

Ndonëse u proklamua se ky raportim ishte diçka jo e zakonshme për kryegjyqtaren e Hagës, nga zyra e saj thanë se raportimi i Ekaterina Trendafilova është procedurë normale e punës.

“Në këtë rast nuk ka pasë asnjë rrjedhje të informatave. Në një takim informues për Shefat e Misioneve të BE-së mbi statusin e procedurave publike, të cilin presidentja Trendafilova e mban rregullisht çdo dy vjet, ajo ka përmbledhur çështjet të cilat tashmë janë adresuar publikisht. Kjo është praktikë rutinore që e bëjnë gjykatat që janë të vendosura në Hagë”, thuhet në përgjigjen e zyrës së saj. /Insajderi.com