Gjatë konferencës së parë për shtyp të Dhomave të Specializuara të Kosovës që u mbajt sot në Hagë, Administratorja e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, shpjegoi strukturën e institucionit të ri, progresin e konsiderueshëm gjatë krijimit të Dhomave të Specializuara dhe etapat e mëtejshme.
Donlon tha se vetë emërimi i saj si Administratore e Zyrës Administrative të Dhomave të Specializuara në prill 2016 shënon jetësimin zyrtar të institucionit të Dhomave të Specializuara.
Ajo ka shpejguar se Zyra Administrative është përgjegjëse për administrimin dhe shërbimet për Dhomat e Specializuara si dhe për kryerjen e tё gjitha funksioneve të tjera tё nevojshme dhe të bashkëngjitura.
“Duke qenë e pavarur dhe e paanshme nga natyra, kjo zyrë u ofron shërbime të gjitha organeve dhe pjesëmarrësve në procedurat gjyqësore. Zyra Administrative përfshin, ndër të tjera, Njësinë për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve, Njësinë e Mbrojtjes, Njësinë e Pjesëmarrjes së Viktimave, Njësinë e Administrimit Gjyqësor, Njësinë e Paraburgimit, Avokatin e Popullit dhe njësi të tjera për mbështetje administrative dhe gjyqësore”, thuhet në një komunikatë për media dërguar nga Dhomat e Specializuara.
Duke folur për dëshmitarët e mbrojtur të përfshirë në procese gjyqësore, Donlon ka thënë se kjo gjykatë do t’i kushtojë rëndësi të madhe të ofrimit të sigurisë për ta.
“Ligji parashtron kuadrin për masa të forta për mbrojtjen e dëshmitarëve, duke respektuar plotësisht të drejtat e të akuzuarve. Ne synojmë të zbatojmë standardet më të larta të mbrojtjes së individëve të cilët mund të jenë të rrezikuar për shkak të pjesëmarrjes së tyre në procedurat gjyqësore. Kësaj çështjeje ne i kushtojmë rëndësi shumë të madhe,” theksoi ajo.
Gjykata Speciale ka njoftuar po ashtue dhe për zhvillimet që po ndërmerren që për qëllim kanë funksionalizimin e gjykatës.
“Procesi i përzgjedhjes së Kryetarit të Dhomave të Specializuara dhe gjykatësve në Listën e Gjykatësve Ndërkombëtarë sapo ka filluar dhe kryhet nga një komision përzgjedhës i pavarur, në përputhje me dispozitat e Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Pas emërimit të Kryetarit të Dhomave dhe gjykatësve, do të punohet për miratimin e një dokumenti ligjor thelbësor, Rregullores së Procedurës dhe Provave, e nevojshme për kryerjen e procedurave gjyqësore”, thuhet në komunikatë.
“Një proces tjetër i rëndësishëm është rekrutimi i punonjësve të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i hapur për shtetas tё shteteve anëtare tё BE-sё dhe tё shteteve tё treta kontribuuese. Në dy Ftesat për Aplikime të kohëve të fundit u afishuan pothuajse 100 vende pune dhe është në vijim e sipër një proces i gjerë rekrutimi”.