Gjykata Speciale ka vendosur që t’ua vazhdojë masën e paraburgimit dy krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, njofton Insajderi.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka kërkuar nga palët që deri më 1 shkurt të dërgojnë parashtresat e tyre për lirim me kusht.
Gjyqtari Guillou e ka konsideruar si të nevojshëm vazhdimin e paraburgimit për të dy udhëheqësit e organizatës së veteranëve.
“Gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se ndalimi i z. Gucati është e nevojshme dhe proporcionale në rrethanat aktuale”, thuhet në vendim.
Vendimi për zgjatjen e paraburgimit është marrë më 24 dhjetor 2020, por është bërë publik ditëve të fundit./Insajderi.com