
Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, Blerim Reka, i cili njëherësh është njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, thotë se pavarësisht koalicioneve të mëdha parazgjedhore nuk do të ketë fitues absolut të zgjedhjeve më 11 qershor, me ç’rast do të ketë edhe negociata të gjata për formimin e qeverisë së re në vend.
Blerim Reka vlerëson se kryeministri i ri i Kosovës do të përballet me dy detyra të rënda: përballja me akuzat e para të Gjykatës Speciale dhe me Demarkacionin, por pa e injoruar këtu edhe formimin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka pranuar se vetë unifikimi i “Krahut të luftës” në një bllok koalicioni tregon sa ndikim ka pasur Gjykata Speciale.
Reka ka shtuar se çelësi për formimin e qeverisë do të jetë tek lëvizja “Vetëvendosje”.
“Cilido prej tre kandidatëve për kryeministër duhet ta dijë se presioni ndërkombëtar do të jetë edhe më i madh dhe atë për t’i dorëzuar të akuzuarit e parë në Hagë, për ta ratifikuar Demarkacionin me Malin e Zi dhe për ta zyrtarizuar krijimin e ‘Zajednicës’”, ka theksuar Reka për Zëri.