Gjykata Supreme gjen shkelje në rastin e prokurores Badivuku

Gjykata Supreme gjen shkelje në rastin e prokurores Badivuku

Gjykata Supreme e Kosovës ka gjetur shkelje në rastin e ish-prokurores Vahide Badivuku. Supremja ka konstatuar se Gjykata e Apelit ka bërë shkelje dhe ka urdhëruar që kjo gjykatë të vendosë edhe njëherë për rastin e saj.

Avokati i Badivukut, Ramë Dreshaj, ka thënë për Insajderin se është njoftuar nga Gjykata Supreme për vendimin.

“Ne kemi bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme dhe me të drejtë kjo gjykatë ka konstatuar se ka pasur shkelje nga Gjykata e Apelit”, ka thënë Dreshaj.

Badivuku ishte dënuar për marrje ryshfeti. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, prokurorja Badivuku, në periudhën kohore maj – gusht 2015, në cilësinë e prokurores  së krimeve të rënda në Prokurorinë e Mitrovicës, duke shfrytëzuar detyrën e saj i ka tejkaluar kompetencat dhe nuk e ka përmbushur detyrën e saj me qëllim të përfitimit çfarëdo dobie për vete duke kërkuar dhe pranuar dhuratë “në mënyrë të tërthortë”, në kundërshtim me detyrën e saj.

Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte dënuar atë me tre vjet burgim të efektshëm. Prokurores Badivuku po ashtu i ishte ndaluar ushtrimi i profesionit për tre vjet si dhe ishte dënuar me një gjobë prej 5 mijë eurosh./Insajderi.com