Gjykata Supreme nuk gjen asnjë shkelje ligjore në rastin “Drenica 2”

Gjykata Supreme nuk gjen asnjë shkelje ligjore në rastin “Drenica 2”

Gjykata Supreme ka vërtetuar fajësinë e Sylejman Selimit, Zeqir Demakut dhe Isni Thaçit, duke i refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë së të dënuarve.

“Gjykata Supreme e Kosovës i ka refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë si të pabazuara”, ka bërë të ditur Gjykata.

Përmes një njoftimi për media, Gjykata Supreme ka theksuar se një seancë këshillimi dhe votimi rreth këtij rasti është mbajtur në këtë gjykatë, më 19 korrik të këtij viti.

“Gjykata Supreme e Kosovës ka mbajtur seancë këshillimi dhe votimi më datën 19 korrik 2017 në lidhje me 11 kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, të gjitha të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës të datës 27 maj 2015 në rastin nr. P 58/14, dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të datës 14 shtator 2016 në rastin nr. PAKR 456/15 nga mbrojtësit përkatës në emër të të pandehurve dhe nga dy të pandehur bashkërisht”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Gjykata Supreme i ka refuzuar pretendimet përkitazi me konceptin e dëshmitarit armiqësor, duke u pajtuar me vendimet e gjykatave më të ulëta se KPP-ja nuk e njeh këtë koncept, por duke theksuar, në të njëjtën kohë, se ky koncept është në përputhje me detyrat që i janë caktuar edhe gjykatës, edhe kryetarit të trupit gjykues me KPP.

Të gjitha pretendimet e tjera janë refuzuar si të pabazuara.

Më 27 maj 2015, Gjykata Themelore në Mitrovicë vendosi se Sylejman Selimi, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaci janë “Fajtorë” për veprën penale Trajtim mizor, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve (shqiptarë të Kosovës) dhe i dënoi me shtatë (7) vjet për z. Selimi dhe me nga gjashtë (6) vjet për të tjerët.

Ndërsa më 14 shtator të vitit 2016, Gjykata e Apelit vendosi që të konfirmojë dënimet për e shqiptuara nga Gjykata Themelore e Mitrovicës. Ndryshim kishte vetëm te dënimi i Sylejman Selimit, dënimi i të cilit është zbritur nga 8 në 7 vjet burgim. /Insajderi.com