Gjykata Themelore e Prishtinës merr vendim për personin që e qëlloi në kokë me kallashnikov

Gjykata Themelore e Prishtinës merr vendim për personin që e qëlloi në kokë me kallashnikov

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizoni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.H. për shkak të veprave penale Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit L.H. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri L.H. me datë 05.06.2019 pa autorizim dhe pa leje paraprake ka mbajtur në posedim armën e tipit kallashnikov dhe me dashje me të njëjtën ka përdorur forcë ndaj të dëmtuarit F.R. duke e goditur në kokë”, thuhet në komunikatë.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit nga neni 187 par.1 nën par.1.1, 1.2, 1.2.1, dhe 1.2.3 të KPPK-së.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.