Gjykata Themelore pezullon punën e dy hidrocentraleve në Deçan

Gjykata Themelore pezullon punën e dy hidrocentraleve në Deçan

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që ta pezullojë punën e dy hidrocentraleve që operojnë në Lumbardhin e Deçanit.

Lajmi e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook.

“Një betejë e fituar për Lumbardhin! Pas padisë që ka ushtruar aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Deçan, Faton Selmanaj ndaj dy hidrocentraleve që po e shkatërrojnë Lumbardhin e Deçanit dhe po i lënë banorët pa ujë, Gjykata Themelore ka marrë vendim që ta pezullojë punën e dy hidrocentraleve”, thuhet në njoftim.

Tutje, është bërë e ditur se, Gjykata ka vendosur ta shtyjë ekzekutimin e lejeve dhe licencave që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë i patën dhënë kompanisë private “Kelkos Energy” për hidrocentralet.

“Gjykata ka vendosur ta shtyjë ekzekutimit e lejeve dhe licencave që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë i patën dhënë kompanisë private «Kelkos Energy» për hidrocentralet. Aktvendimi i sotëm pezullon aktet e kontestuara deri në shqyrtimin e padisë së aktivistit tonë Selmanaj. Përfundimisht, presim që gjykata ta miratojë padinë, duke anuluar lejet dhe licencat që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Organet e paditura dhe palët e interesuara kanë 15 ditë afat të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit”, thuhet tutje në njoftimin e VV-së./Insajderi.com