Gjykata tregon përse vendosi t’i kthejë prapa grilave Kastriot Shalën e Leutrim Latifin

Gjykata e Apelit: “Aktvendimi  Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 18.09.2020 është ndryshuar, të pandehurve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji“.

Gjykata tregon përse vendosi t’i kthejë prapa grilave Kastriot Shalën e Leutrim Latifin

30 ditë paraburgim është masa e caktuar për të pandehurit Leutrim Latifi dhe dhe Kastriot Shala nga Gjykata e Apelit.

Kështu kanë njoftuar për Gazetën Online Insajderi nga kjo Gjykatë, nga e cila bëjnë të ditur se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale “grabitje”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”, “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “zjarrvënia”, ende ekzistojnë rrethana që e justifikojnë frikën se me gjetjen e tyre në liri, mund t’i shmangen procedurës penale.

“Gjykata e Apelit vlerësoi se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar, se ata  i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, ende ekzistojnë rrethana që e justifikojnë frikën se me gjetjen e tyre në liri,  të lartcekurit mund t’i shmangen procedurës penale, mund të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, apo mund ta përsërisin veprën penale“, thuhet në përgjigjen e gjykatës dhënë Insajderit.

Një vendim i tillë është marrë të mërkurën e 23 shtatorit, ku Apeli ka aprovuar ankesën e prokurorisë në rastin e këtyre personave.

“Aktvendimi  Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 18.09.2020 është ndryshuar, të pandehurve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji“, kanë thënë tutje ky institucion.

Se këta të dyshuar janë dërguar në mbajtje, gjatë ditës së djeshme për redaksinë e kishte konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se ndaj të arrestuarve janë marrë të gjitha veprimet përkitazi aktvendimit të kësaj gjykate.

“Sot rreth orës 09:00 nga zyrtarët e stacionit policorë Veriu në Prishtinë, është zbatuar një aktvendim i Gjykatës së Apelit, ku janë arrestuar tre persona, ndaj të cilëve janë marrë të gjitha veprimet konform aktvendimit”, ka thënë dje Ahmeti.

Insajderi ka mësuar se të arrestuarit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Ditë më parë, këta dy anëtarë të grupit që patën kryer grabitje të shumta në Kosovë, u liruan në procedurë të rregullt, ndërsa dje janë rikthyer sërish prapa grilave.

Kastriot Shala, Leutrim Latifi dhe Ridvan Ademi kërkoheshin nga policia që nga tetori i vitit 2018 për disa raste të grabitjeve të armatosura në banka dhe kazino gjatë asaj kohe.

Ata madje ishin cilësuar nga Policia e Kosovës, si persona me rrezikshmëri të lartë, për çka edhe patën ofruar shpërblime prej pesë mijë euro për ata që ofronin informacione lidhur me vendndodhjen e tyre.

Në maj të vitit 2019, njëri prej tyre, përkatësisht Leutrim Latifi, u arrestua në Mal të Zi dhe ishte ekstraduar në Kosovë.

Më 9 maj të po këtij viti ishte arrestuar Kastriot Shala në Hajvali derisa gjendej në një veturë të tipit Golf 7, kurse gjatë arrestimit ishte në posedim të një arme të cilën e kishte në veturë. Bashkë me Shalën ishin arrestuar edhe dy persona të tjerë.

Para se të prangoseshin, Shala bashkë me Leutrim Latifin gjendeshin në arrati prej ku përmes Facebookut kishin bërë shaka me kërkesën për arrestimin e tyre. Madje, kishin pasur edhe video-live nga Spanja – siç thoshin ata. /Insajderi.com