Gjykata vendos për lirimin e Shefqet Krasniqit

Gjykata vendos për lirimin e Shefqet Krasniqit

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuzat për vepra penale të terrorizmit dhe shmangie nga tatimi, ish-imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.

Ish-imami akuzohej për veprat penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik” dhe veprën “shmangie nga tatimi”.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra.

Sipas tij, Gjykata ka gjete se për tri veprat penale nuk ka pasur prova për ta bërë të besueshme se i akuzuari ka kryer vepër penale.

Ai ka thënë se deklarata e një dëshmitari që është dëgjuar ka qenë kundërthënëse, pasi sipas tij, ky dëshmitar në fund të dëshmisë së tij, kishte deklaruar se nuk e kishte shtyrë askush atë që të shkojë në Siri.

Për veprën penale të shmangies nga tatimi, gjykatësi Kalludra ka thënë se si trup gjykues janë informuar se të gjitha obligimet tatimore janë paguar.

“Element i veprës penale është fshehja e të dhënave dhe në bazë të inspektorit tatimor, që ka dëshmuar ka treguar se i pandehuri ka bashkëpunuar me ATK për të bërë pagesën”, ka thënë gjykatësi Kalludra me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Në bazë të aktakuzës së 27 shkurtit 2017, Shefqet Krasniqi, akuzohet për veprën penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, nga viti 2013 e deri më 2014, në cilësinë e imamit të xhamisë së madhe “Mehmet Fatih”, në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, kryesisht në mënyrë indirekte, mesazhe të cilat kanë shtyrë të tjerët të marrin rrugën për Siri dhe Irak dhe të ndërmarrin veprime terroriste në ato vende.

Prokuroria pretendon se Krasniqi, ka shfrytëzuar paraqitjet e tij të drejtpërdrejta me anë të ligjëratave dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame. Prokuroria, në këtë kontest përmend ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, nga ligjëratat e Krasniqit janë ndikuar shumë persona që të bëhen pjesë e organizatave terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”, e ku përmenden Venera Ademi, Ilir Mustafa e Blerim Heta. Sipas prokurorisë, Blerim Heta, më 25 mars 2014, kishte kryer një veprim terrorist vetëvrasës, në të cilin rast kishin mbetur të vrarë 52 persona në Irak.

Ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”, sipas prokurorisë janë inkriminuese që Krasniqi ka kryer edhe veprën penale “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik”, pasi pretendohet se ai përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame, ndër të tjera thuhej se “sllavët rusë dhe budistët e komunistët kinez, kanë bërë dhe po bëjnë krime të mëdha kundër vëllezërve tanë myslimanë, se janë duke vrarë vëllezërit tanë myslimanë në Siri”.

Krasniqi në bazë të aktakuzës, ngarkohet edhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”, pasi pretendohet se si pronar I.N.T “Pronat”, në periudhën kohore 2011 deri më 2016, më qëllim të fshehjes apo shmangies së pjesshme ose të tërësishme të tatimit, me dashje ka dhënë të dhëna të pavërteta duke mos i kryer obligimet që parashihen me Ligjin për Administratën Tatimore. Krasniqi pretendohet se nuk i ka kryer obligimet tatimore, në vlerë të përgjithshme prej 20.208.57 euro.

Kundër aktakuzës së prokurorisë, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Sevdali Zejnullahu kishte paraqitur kundërshtimet për hedhjen e aktakuzës, por që ishte refuzuar më 22 dhjetor të vitit të kaluar nga gjykatësi Kalludra.