fbpx

Gjykatë Speciale edhe për Serbinë?

Gjykatë Speciale edhe për Serbinë?

Gjykatë Speciale, e njëjtë sikur ajo që është formuar për Kosovën do t’i kërkohet edhe Serbisë. Kjo parashihet në Platformën e Delegacionit Shtetëror të Kosovës për Bisedime me Serbinë. Një gjë të tillë e ka thënë zëvendëskryeministri njëherësh anëtar i këtij ekipi, Dardan Gashi.

Zëvendëskryeministri Gashi thotë se nëse për Kosovën është bërë një gjë e tillë, pse të mos formohet Specialja edhe për Serbinë, kur dihet se ka kryer gjenocid  në Kosovë. “Platforma i është dok atyre agresive për shkak se kërkon krijimin e një Tribunali ose Gjykata speciale për krimet e Serbisë, ashtu siç fatkeqësisht e kemi ne gjykatën për krimet e supozuara të UÇK-së.

Dhe nëse për ne bënë edhe pse është e padrejtë, atëherë pse mos ta pranojë Serbia për 11 mijë civilë që dihet që i ka vra. Vetëm gjatë luftës, nuk po flas për fazat e paraluftës, keqtrajtimet, burgosjet që i ka bërë me dekada e shekuj”, ka thënë Gashi.

Gashi e ka pranuar se dialogu ka mbetur i bllokuar për shkak të kërkesës së Serbisë për heqjen e taksës. Por ai shton se Serbia vazhdon të ketë kërkesa karshi Kosovës, sipas tij, edhe po të hiqet taksa do të kërkojnë të tjera kushte.

“Nuk është ndonjë sekret që dialogu është i bllokuar, është i bllokuar për shkak të kërkesës së Serbisë që ne fillimisht të largojmë taksën pastaj fillojmë bisedimet. Është kjo kërkesë e cila e kishim marrë seriozisht por të mos kishin qenë 100 kushte tjera që i kanë qit më herët dhe që presin me i qit edhe kur ta heqim taksën. Në momentin që është votuar atë ditë platforma për nja dy javë e harroi taksën Beogradi dhe filloi të merret me platformë sepse platforma e pamundëson tash dialogun. Po ju garantoj që edhe po të heqim taksën kanë me fillu me qit kushte të reja”, tha zëvendëskryeministri Gashi

Këtë vendim të Qeverisë së Kosovës për mallrat e Serbisë, Gashi nuk e sheh të nevojshme të ndryshohet, vetëm pse po kërkon Serbia. Sipas tij, Kosova është e gatshme për dialog dhe ka kusht njohjen ndërmjet dy shteteve.

“Ne mund të heqim taksën në çdo moment që vlerësojmë që është mirë. Mirëpo nuk mund të heqim taksën vetëm pse po kërkon Serbia, për të hyrë në dialog. Ne jemi të gatshëm për dialog, kemi Platformë, kemi Ekip Negociator, kemi vendim të tri dokumenteve të ndryshme të votuara në Kuvend edhe sa i përket dialogut nuk kemi asnjë hap të tillë prej Serbisë, përveç vendosjes së kushteve. Ne kushtin e vetëm e kemi që dialogu është politik dhe duhet të përfundojë me njohje”, u shpreh Gashi.

Anëtari i Ekipit Negociator, Dardan Gashi, deklarimet e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve, i ka quajtur mendime private të tij, për të cilat thotë se nuk mund t’i ndalohen askujt. Gashi ka thënë se duhet dallohen mendimet private nga ajo çfarë është e përcaktuar në Platformën për Dialogun. Sipas tij, përmbajtja e saj nuk ka pasur kritika as nga opozita.

“Nuk ka asnjë divergjencë mes Ekipit Negociator dhe presidentit. Mendimet private gjithkujt na s’mund t’ja ndalojmë. Dikush mund të thotë se është zgjidhja më e mirë ndryshimi i kufijve, dikush mundet me pas idenë që zgjidhja më e mirë është po supozoj asociacioni mirëpo tjetër send janë mendimet private, tjetër send është platforma e votuar në Kuvend e cila i qet idetë e qarta se në çfarë orientimi duhet të ketë Kosova në këtë dialog dhe atë e kanë votuar gjitha partitë e koalicionit plus një parti e opozitës, dhe nuk ka pasur kritika në kuptim të përmbytjes. Ata kanë pasur kritika në kuptim të delegacionit, të Qeverisë. Sa i përket përmbajtjes nuk ka pasur kritika serioze sepse përmbajtja është ajo që besoj e përfaqëson gjithë spektrin politik duke përfshirë edhe opozitën”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës në procesin e dialogun, sipas Gashit, mund të përfshihet kur të fillojë dialogu. Madje ai thotë se është i gatshëm t’ia lirojë vendin e tij përfaqësuesve të LDK-së.

“Ne e kemi thënë dhe vazhdojmë të themi çdo moment që LDK-ja vjen që ne personalisht jemi të gatshëm të lëshojmë vendin nëse LDK-ja vjen. Edhe Limaj si bashkëkryesues edhe unë si anëtar, sigurisht edhe anëtarët tjerë, do të ishin të lumtur të lirojnë një vend ose dy ose tre për të përfshirë një parti si LDK-ja në dialog. Dialogu ende nuk ka filluar do të thotë gjitha këto që kanë ndodhur deri tash janë përgatitje. Unë besoj që kur të fillojë faza serioze e dialogut, LDK-ja do të jetë pjesë e këtij procesi”, pohoi zëvendëskryeministri Gashi.

Ekipi Negociator dhe Platforma për Dialogun nuk është mbështetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Si parti opozitare, këtij ekipi i është bashkuar Partia Socialdemokrate, ku bashkëkryesues i delegacionit është kreu i kësaj partie, Shpend Ahmeti./eo