Gjyqtari Beqir Kalludra liroi Azem Sylën

Gjyqtari Beqir Kalludra liroi Azem Sylën

Beqir Kallurda është kryetar i trupit gjykues në rastin “Toka” kundër Azem Sylës dhe të tjerëve, i cili i lirua sot nga masa e paraburgimit dhe do të mbrohet në liri.

Pas kalimit të këtij rasti te gjykatësit vendorë, Kalludra më 22 shkurt ishte caktuar t’i prijë trupit gjykues në këtë rast.

Jo më shumë se 20 ditë nga koha kur ky rast ka kaluar në duart e vendorëve, gjykatësi Beqir Kalludra, në cilësinë e kryesuesit të trupit gjykues, e liron Azem Sylën nga masa e paraburgimit.

Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

I njëjti gjykatës dënoi katër aktivistët e Vetëvendosjes më 21 vjet burgim.

Gjykatësi Beqir kalludra i cili e liroi Azem Sylën nga masa e paraburgimit, është po i njëjti që kishte dënuar katër aktivistët e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, më 21 vjet burgim.

Ata akuzoheshin për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Gjyqtari Kalludra është gjyqtar edhe në rastin e deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në rastin e lotsjellësi në Kuvend./Insajderi.com