I akuzuari Bujar Jashari, ka mohuar fajësinë se në gusht të vitit 2019, të ketë vjedhur pyllin.
Mohimin e fajësisë për akuzën me të cilën ngarkohet, ai e ka bërë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk e pranoj fajin. Nuk është e vërtet që kam pre dru në këtë datë. Nuk është e vërtetë që më ka takuar roja e pyllit Tasim Sinani dhe dëshiroj të ballafaqohem me të”, ka deklaruar i akuzuari Jashari.
Në lidhje me këtë çështje, gjykatësi Minir Hoti, ka deklaruar se rasti në aktakuzë përshkruhet të ketë ndodhur me 3 gusht, ndërsa fotografitë në shkresat e lëndës paraqesin një traktor të vetëm dhe në kohë me borë.
“Nuk e di si ka mundur me u ngritë aktakuza, në të cilën flitet për rastin e 3 gushtit, e në fotografi e ke një traktor pa askënd në të dhe bora deri në gjunjë”, ka deklaruar gjykatësi Hoti.
Pas kësaj, prokurori Ali Ajdini, që ka përfaqësuar këtë aktakuzë, ka shtuar se është mirë të ftohet roja i pyllit, për të kuptuar më tepër rreth çështjes në fjalë.
Gjykatësi Hoti, e ka njoftuar të akuzuarin Jashari, se mund të paraqes kundërshtim me shkrim dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës, me ç’rast seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 2 prill, në ora 13:30.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 15 nëntor 2019, që mbanë firmën e prokurores Jehona Grantolli, për të akuzuarin Bujar Jashari përshkruhet se më 3 gusht 2019, rreth orës 11:00, në vendin e quajtur “Te Gërdeqi”, në fshatin Gërdec në Podujevë, në pyllin në pronësi publike, me të cilin menaxhon Agjencia Pyjore e Kosovës, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, e që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, është zënë në flagrancë nga punëtori i autorizuar i sektorit të pylltarisë, duke prerë dru.
Siç thuhet në aktakuzë, drutë e prerë kishin gjatësi rreth 3.35 m3, me diametër 16m, në vëllim të përgjithshëm prej 3.35 m3, me ç’rast Agjencisë Pyjore të Kosovës, në Prishtinë, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 452.20 euro.
Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 349, paragrafi 3, pika 3.1 të KPRK-së.