Gjykimi ndaj Salih Mustafës: Sot dëshmon dëshmitari i fundit

Gjykimi ndaj Salih Mustafës: Sot dëshmon dëshmitari i fundit

Në gjykimin për krime lufte ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës në Hagë, të martën pritet të fillojë dëshminë e tij dëshmitari i fundit i thirrur nga prokuroria.

Në lidhje për këtë rast, këtë javë pritet të mbahen edhe dy seanca të tjera, të mërkurën dhe të enjten.

Ndërkaq, javën e kaluar e ka përfunduar dëshminë e tij Sejdi Veseli, ish-anëtar i UÇK-së, i cili dëshmoi pa masa mbrojtëse.

Salih Mustafa është i ngarkuar me akuza për “krime lufte”.

Ai u arrestua, më 24 shtator – vitin e kaluar, nga forcat e EULEX-it me urdhër të Dhomave të Specializuara.

Ndërsa, aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt./Insajderi.com