Gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve – dëshmitari flet për tenderin në KEK

Gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve – dëshmitari flet për tenderin në KEK

Shefi ekzekutiv i kompanisë “Besa Security”, Granit Hasani ka deklaruar se me rastin e tenderit për sigurimin fizik të objekteve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), të gjitha dokumentacionet i kishte dorëzuar, ashtu siç ishte kërkuar.

Këtë deklaratë, dëshmitari Hasani, i cili njëkohësisht është edhe i dëmtuar, e ka dhënë në seancën e së hënës në gjykimin e rastit të njohur si “KEK 2”, ndaj ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha si dhe katër të akuzuarve tjerë, lidhur me tenderin gjashtë milionësh në KEK.

Ndaj dëshmitarit Hasani, i vetmi që ka parashtruar pyetje në këtë seancë, ka qenë mbrojtësi i Driton Pruthit, avokati Bajram Tmava, lidhur me  përgatitjen dhe dorëzimin e dokumentacioneve për tender, për çka dëshmitari ka deklaruar se një gjë të tillë ai e kishte bërë sipas asaj çfarë është kërkuar në tenderin në fjalë.

Përveç dëshmitarit Granit Hasani, i cili dëshminë e tij e kishte dhënë edhe në katër shqyrtime kryesore, që ishin mbajtur gjatë vitit 2016, në këtë seancë, para trupit gjykues me kryetar Beqir Kalludrën, janë paraqitur edhe dëshmitarët, Ardian Canolli, Gazmend Elezaj, Ilir Gashi, Osman Hajrizi, Lumjan Tolaj, Bahri Nuredini, Alban Rushiti dhe Jeton Lushtaku.

Të gjithë dëshmitarët, deklaratën e tyre e kanë dhënë para trupit gjykues që ka pasur përbërje tjetër, e të cilët gjatë seancës, kanë deklaruar se i qëndrojnë prapa deklaratës së dhënë dhe nuk kanë për të shtuar asgjë më shumë.

Pyetje për dëshmitarët nuk kanë pasur as prokurorja, as mbrojtësit e të akuzuarve, e as trupi gjykues.

Prokurori i EULEX, Danilo Ceccareli, i cili kishte përfaqësuar këtë aktakuzë, kishte deklaruar se për dëshmitarin Granit Hasani kishte pyetje shtesë, mirëpo i njëjti nuk përfaqëson më aktakuzën dhe e njëjta i është deleguar prokurores së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Florije Shamolli.

E njëjta, deklaroi se nuk kishte pyetje shtesë për dëshmitarin Hasani.

Seancat e radhës në këtë çështje juridiko-penale pritet të mbahen më 12 prill, me fillim nga ora 13:00, 13 prill, me fillim nga ora 9:30, 18 prill, me fillim nga ora 9:00, 15 maj dhe 16 maj, me fillim nga ora 9:00.

Në seancat e ardhshme pritet të dëgjohen dëshmitarë që më parë nuk kanë deklaruar pranë gjykatës, si dhe ata që janë deklaruar para trupit gjykues që paraprakisht ka qenë kompetent për të gjykuar këtë rast.

Ndryshe, në seanca e paraparë të mbahej më 19 dhjetor 2017, ishte shtyrë me kërkesë të mbrojtjes së Sami Lushtakut.

Arsyet e kësaj kërkese, sipas mbrojtësit të tij Arianit Kocit, kishte të bëj me problemet shëndetësore që kishte klienti i tij, për çka kishte thënë se nuk ka pasur kohë të përgatisë dokumentet shtesë mjekësore, për arsyetimin e kësaj rrethane.

“Dëshiroj ta njoftoj trupin gjykues që në vazhdimësi jam në trajnim mjekësor edhe këtu edhe në Shqipëri. Nuk kisha dasht me u keqkuptu se po du me i ik kësaj seance”, kishte deklaruar i akuzuari Sami Lushtaku.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 27 shtator të vitit të kaluar kishte aprovuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2”, t’i delegohet gjyqtarëve vendorë, të cilin vendim Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar vetëm pas dy jave, përkatësisht më 12 tetor 2016.

Në seancat që ishin zhvilluar para një trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Vladimir Mikula, nga radhët e EULEX-it, akuzën e kishte përfaqësuar prokurori Paul Flynn.

Në shkurt të vitit 2016, para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula, gjithë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Granit Hasani, dëshminë e tij e kishte dhënë në katër shqyrtime kryesore.

Në seancën e mbajtur më 10 mars 2016, dëshmitari Hasani para trupit gjykues kishte deklaruar se për konkurimin në tenderin për sigurinë fizike të objekteve të KEK-ut, ndër dokumentet që u ishin kërkuar nga ana e prokurimit kishin qenë dokumentet bazë të kompanisë, përfshirë licencat e nevojshme dhe dëshmitë për kapacitete teknike, ekonomike dhe financiare si dhe çmimi më i favorshëm ekonomik.

Hasani kishte deklaruar se ishte njoftuar që vetëm një ofertues i përgjegjshëm kishte arritur t’i plotësojë kriteret e kërkuara dhe kjo ishte kompania “Security Code”, ndërsa autoriteti kontraktues i KEK-ut kishte vendos që të anulohet tenderi, sepse sipas Ligjit të Prokurimit Publik është dashur që pas fazës së shqyrtimit të dokumenteve  të operatorëve ekonomik, të jenë dy apo më shumë operatorë  ekonomik të përgjegjshëm. Dëshmitari Hasani kishte thënë se pasi e kishte kuptuar se kompania’’Security Code” kishte bërë ankesë, për të cilën Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte vendosur për ta kthyer në rivlerësim dhe e njëjta kishte bërë rekomandime që mund të shkohet në procedurat e mëtejme për fitimin e tenderit edhe vetëm  me një operator të përgjegjshëm. Sipas Hasanit, OSHP-ja nuk mund të jap rekomandime që çojnë në ndryshimin e dispozitës ligjore.

Dëshmitari Hasani kishte thënë se komisioni për rivlerësim, e kishte zgjedhur fitues Konsorciumin ‘Security Code&WDG’, dhe për këtë gjë Hasani si drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Besa Security” nuk ishte pajtuar me një vendim të tillë pasi në bazë të informatave nga Ministria e Punëve të Brendshme ,“Security Code” nuk dispononte licencën për monitorim të sistemit të alarmit, ndërsa kompania “WDG” nuk posedonte asnjë licencë dhe së njëjtës i ishte ndaluar të veprojë si kompani e sigurimit, sepse pronarët e kësaj kompanie ishin të lidhur me një kompani tjetër që ishte e licencuar për armatim.

Po ashtu, Hasani kishte shtuar se  si kompani fituese e tenderit ishte dashur që të shpallet kompania “Besa Security”, sepse sipas tij, i kishte plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

Kurse, dëshmitari Lumjan Tolaj, ish punëtor i kompanisë “Security Code”, dëshminë e tij para trupit gjykues, që kishte përbërje tjetër nga ky i tanishmi, e kishte dhënë më 22 prill 2016.

Tolaj, kishte mohuar ta ketë nënshkruar deklaratën e 23 marsit të vitit 2012, të cilën deklaratë sipas prokurorisë e ka nënshkruar kompania “Security Code” në emër të punëtorëve të rekrutuar.

E njëjta kishte të bënte me ekskluzivitetin dhe gatishmërinë e punëtorëve për projektin e sigurimit fizik të objekteve të KEK-ut.

Ndërkaq, dëshmitarët Ilir Gashi, Ardian Canolli dhe Osman Hajrizi, dëshminë e tyre në gjykatore e kanë dhënë më 21 prill 2016, atë kohë të njëjtit kanë qenë punëtorë të kompanisë “Security Code”.

Dëshmitari Ilir Gashi, njëherësh enaxher i sigurisë në “Security Code”, kishte deklaruar se deklaratën në fjalë nuk e ka nënshkruar ai personalisht, e as që e ka jep ndonjë autorizim të veçantë. Megjithatë, sipas tij, në momentin që i kishin dorëzuar dokumentet për të aplikuar për punë dhe gjatë bisedës me drejtorin e kompanisë “Security Code”, Esat Tahiri, i është dhënë  e drejta kompanisë që ato dokumente të përfshihen në dosjen e tenderit, që ka qenë edhe kriter i tenderimit për projektin e KEK-ut.

Ndryshe nga Gashi, dëshmitari tjetër Ardian Canolli, kishte thënë se deklarata e 23 marsit është nënshkruar nga vet ai dhe se përmbajtja e së njëjtës është në përputhshmëri të plotë me marrëveshjen që i njëjti e ka bërë me drejtorin  e kompanisë “Security Code”.

Ndërkaq, dëshmitari i tretë, Osman Hajrizi, kishte thënë se si profesionist dhe njohës i mirë fushës së sistemit të sigurisë i kanë ofruar punë edhe kompanitë tjera, por si përfundim kishte bërë marrëveshje që në rast të fitimit të projektit të KEK-ut nga ana e “Security Code”,do ta pranonte punën.

Kurse, dëshmitari Gazmend Elezaj, kishte dhënë deklaratën e tij më 20 prill, të cilit i ishte prezantuar një deklaratë për të cilën i njëjti kishte thënë se nuk figuron nënshkrimi i tij. Megjithatë, Elezaj kishte theksuar se kjo gjë nuk paraqet ndonjë problem, pasi me vet faktin se i ka dhënë të drejtë kompanisë “Security Code” që ta përdorë dokumentacionin personal  për projektin e KEK-ut, nënkupton që ka ekzistuar ai autorizimi. Po ashtu kishte deklaruar se po t’i ishte ofruar që të nënshkruaj të njëjtën deklaratë të datës 23 mars 2013, do ta nënshkrunte, pasi e njëjta sipas tij, nuk ka shkuar në dëm të tij.

Në rastin e njohur si rasti i “KEK 2”, hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.

Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Gjatë periudhës mars 2012 e deri në dhjetor 2012, Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u./Betimi për Drejtësi/