Albin Gashi, i akuzuar në grup për shitblerje të narkotikëve dhe vepra të tjera penale, është deklaruar i pafajshëm dhe ndryshe nga katër të akuzuarit e tjerë, nuk ka pranuar të bëjë marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Mediat kanë raportuar gabimisht se edhe Gashi është bërë pjesë e marrëveshjes, mirëpo ai i ka thënë Gazetës Online Insajderi se nuk ka pranuar arritje të marrëveshjes, prandaj edhe nuk ka marrë pjesë fare në seancën e sotme.
“Nuk kam arritur asnjë marrëveshje dhe për këtë nuk e kam parë të arsyeshme të marrë pjesë në këtë seancë”, ka thënë Gashi, duke shtuar edhe se “avokati im gjendet jashtë Kosovës momentalisht”.
Përveç Gashit, në seancë kanë munguar edhe tre të akuzuar të tjerë, prandaj është konstatuar se nuk ka kushte ligjore për vazhdimin e seancës. Për këtë arsye, seanca e radhës është caktuar me 24 dhjetor 2020, nga ora 13:30.
Për marrëveshjen me pranim fajësisë për të akuzuarit e tjerë ka treguar gjyqtarja e rastit, Valbon Musliu Selimaj. Atë prokuroria e kishte njoftuar se një marrëveshje mes prokurorisë dhe palës së akuzuar ishte arritur me dy dhjetor.
Për këtë grup prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë me 20 dhjetor 2019.
Përveç Gashit, të akuzuar janë edhe Xhemal Shala, Sadik Shala, Iskender Sale dhe Labinot Zenelaj.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë blerë dhe poseduar substanca narkotike të llojit heroinë, me qëllim të shitjes dhe transportimit të tyre ku gjatë vitit 2018 kanë blerë heroinë nga Iraku e cila ka arritur me maune në pllaka të mermerit në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.
Këtij grupi, sipas prokurorisë, i ishin zënë 113 kilogramë heroinë, e cila më pas është konfiskuar nga organet e rendit./Insajderi.com