Gjykimi për konflikt të interesit – Sot përballja e fundit mes prokurorisë dhe Haki Rugovës

Gjykimi për konflikt të interesit – Sot përballja e fundit mes prokurorisë dhe Haki Rugovës

Prokuroria Themelore në Pejë dhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, do të përballen të enjten për herë të fundit në gjykatë, para se kjo e fundit të shpall aktgjykimin.

Rugova akuzohet nga Prokuroria se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 e ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 300 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas mbajtjes së disa seancave për këtë rast, sot në ora 15:00, prokurori Ali Uka dhe mbrojtja e Haki Rugovës do të japin fjalët e tyre përfundimtare.

Në seancën e kaluar, i pari i Komunës së Istogut, Haki Rugova në mbrojtjen e tij të dhënë para trupit gjykues të Gjykatës së Pejës kishte pranuar se kishte nënshkruar kontratën për dhënien e tenderit kompanisë së vëllait të tij, Gani Rugova. Mirëpo, sipas tij, ky nënshkrim ishte bërë aksidentalisht pasi kjo kontratë i ishte dërguar për nënshkrim me shumë dokumente tjera./Insajderi.com