Goditja e tavolinës, shenja me gisht dhe dy duart e ngritura – reagimet e Haradinajt, Veselit dhe Thaçit

Goditja e tavolinës, shenja me gisht dhe dy duart e ngritura – reagimet e Haradinajt, Veselit dhe Thaçit

Gjashtë përfaqësuesit e Kosovës që kishin udhëtuar sot në Bruksel për tu takuar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, atje ku u dha edhe lajmi se Kosova ka fituar rekomandimin për liberalizim të vizave janë kthyer në Kosovë, raporton Insajderi.

Me tu kthyer në vend, presidenti, kryeministri, kryeparlamentari dhe tre zv/kryeministrat kanë mbajtur një konferencë në aeroportin “Adem Jashari”, aty ku kanë përsëritur edhe një herë gjërat që i kanë thënë gjatë gjithë ditës.

Falënderimet dhe urimet në këtë konferencë kanë qenë pothuajse të ngjashëm nga liderët kosovarë me ato që i kanë dhënë në prononcimet nga Brukseli.

Ajo çfarë e ka karakterizuar këtë konferencë të tyre janë dy ngjarjet në fund. Thaçi në momentin që e ka shpallur të mbyllur këtë konferencë është pasuar me tri veprime të çuditshme.

Fillimisht Thaçi kishte ngritur dy duart lartë, Veseli kishte ngritur një gisht si dhe kryeministri i vendit, e ka goditur tavolinën disa herë, ashtu si për ta festuar rekomandimin për viza.

Një tjetër ngjarje e çuditshme në këtë konferencë ka ndodhur në fund të saj. Përderisa liderët janë ngritur të largohen nga salla e konferencës, aty janë fikur dritat duke mbetur të gjithë në errësirë.

Pa vonuar shumë kohë dritat janë kthyer përsëri, por liderët vetëm se kishin dalur jashtë konferencës./Insajderi.com