Goditja pornografike e grave të dhunuara

Nëse shoqëria do të mendonte me logjiken e linçit publik të instaluar nga PDK-ja dhe njerëz të afërm me të, atëherë nuk ka shpjegim tjetër pos që Serbia nëpërmjet bashkëpunëtorëve të saj në PDK, i dha goditjen më të madhe Kosovës dhe grave të dhunuara, pak javë pas dëshmisë së viktimës së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi, në Kongresin Amerikan.

Goditja pornografike e grave të dhunuara

Fund më të palavdishëm të karrierës politike, intelektuale e humane, nuk mund ta ketë pasur dikush sesa, Flora Brovina.

Poetja, politikania, ish e burgosura politike, tashmë ka mbyllur karrierën me një fund tepër grotesk. Tash Brovina, është materie me të cilën duhet të merret shteti (nëse do të kishim shtet funksional): Ku e mori atë fotografi? Kush e shtyri ta publikojë?

Viktimat e dhunës seksuale, familjarët e tyre dhe gjithë populli, besoj, që ka përjetuar një nga traumat më të mëdha që ka përfundimi i luftës. Krejt kjo për qëllime të pastra politike.

Partia Demokratike e Kosovës kapi për fyti dhimbjen njerëzore për ta kthyer në një kauzë politike të mbijetesës, sepse kauzë tjetër nuk mund të ketë më.

Duke dashur të përfitojë nga kjo dhimbje, shkaktoi dëmin më të madh që mund ta ketë pritur dikush.

Të vërtetat e gjenocidit serb, i shndërroi në pornografi politike me fakte të rreme dhe të paverifikuara, sikur të ishim në kohën e LPK-së, apo në fillimet e veprimtarisë së dyshimtë të SHIK-ut, kur teknologjia mungonte, e informacioni ishte shumë vështirë i verifikueshëm.

Mohimit të krimeve që vazhdon ta bëjë Serbia dhe politikanët serbë në Kosovë, iu bashkëngjit kjo parti duke përdorur paditurinë politike dhe lehtësinë e padurueshme të manipulimit të Flora Brovina, të cilën bashkëpartiakët e saj kohë me parë (siç dëshmohet në përgjimet e publikuara nga Insajderi) e cilësonin “idiote” e “lopë”.

Saktësisht shtatë vjet më vonë, drejtuesit e PDK-së e rikthyen Brovinën, në skenë në një rol edhe më te keq: të shkatërrimit të idesë së një ditë do të ketë drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Çfarë synoi PDK-ja me këtë budallallëk?

Dyshimet se kjo parti i ka shkaktuar dëme të mëdha vendit, u vërtetuan dje. As Serbia nuk do të kishte ditur që temën e dhunës seksuale ta kthente në favor të vetin më mirë sesa e bëri kjo parti nëpërmjet, Flora Brovinës.

Duke qenë se PDK-ja nuk mund ta premtojë më Luginën e Silikonit, Fondin e Zhvillimit, bashkimin e Mitrovicës, liberalizimin e vizave, hapjen e 200 mijë vendeve të punës, apo bërjen e Kosovës – Zvicër, iu kthye debatit për luftën, dimensionit më të ndjeshëm – dhunës seksuale.

Ashtu siç është i destinuar për dështim secili projekt i cili nisë me hile, kështu ndodhi edhe me projektin e krijimit të një Tribunali Ndërkombëtar për krime serbe në Kosovë. Ky Tribunal i nisur nga kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veselim nuk do të krijohet kurrë.

Me fjalimet e tij apo deklaratat e shkurtra për media, Veseli, u përpoq ta paraqes Kosovën si një Izrael të dytë, e AKI-në, si MOSSAD. Ani se nuk e tha krejtësisht qartë, ai la të kuptohet se Agjencia Kosovare e Inteligjencës do t’i kapë dhe do t’i sjellë në Kosovë të gjithë kriminelët serbë, siç ka bërë për shumë vjet shërbimi sekret izraelit me kapjen e nazistëve të Hitlerit.

Por e vërteta është krejtësisht ndryshe.

Kosova nuk është Izrael, e AKI-ja nuk është MOSSAD. Se sa të aftë e kemi politiken dhe institucionet e inteligjencës u dëshmua me një fotografi pornografike që u prezantua si një skenë dhunimi seksual të një gruaje shqiptare në sy të familjarëve të saj me duar të lidhura pas shpine.

Fotografia ishte e rrejshme, sikurse është i rrejshëm edhe angazhimi politik që çështja e adresimit të dhunës seksuale të adresohet në mënyrën e duhur.

Sado që peshon ky dëm që u shkaktua dje, një gjë e mirë ndodhi: PDK-ja i dha goditjen më të madhe vetës duke e fundosur edhe më shumë në moçalin e saj të injorancës dhe korrupsionit.

Këtë e ka merituar shumë moti, ndonëse jo duke shkaktuar dëm kaq të madh, mbase edhe të pariparueshëm. Prezantimi i fakteve me metoda të SHIK-ut, nuk është përpjekje për drejtësi, por dëmtim i përpjekjeve për një gjë të tillë.

PDK-ja dhe njerëz të lidhur me të, kanë instaluar për dy dekada modelin e linçimit publik të kundërshtarëve politikë, gazetarëve, duke i cilësuar “udbasha”, “bashkëpunëtor të Serbisë”, para se këta kundërshtarë apo gazetarë të sulmoheshin deri në vdekje.

Nëse shoqëria do të funksiononte bazuar në këtë model, atëherë nuk ka shpjegim tjetër pos që Serbia nëpërmjet bashkëpunëtorëve të saj në PDK, i dha goditjen më të madhe Kosovës dhe grave të dhunuara, pak javë pas dëshmisë së viktimës së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi, në Kongresin Amerikan.

Flora Brovina e PDK-së e bëri këtë. /Insajderi.com