Grabitje e armatosur në një institucion mikrofinanciar, 19 vjeçari kapet nga policia

Grabitje e armatosur në një institucion mikrofinanciar, 19 vjeçari kapet nga policia

Një 19-vjeçar është arrestuar gjatë pasdites të së premtes për një grabitje të armatosur të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë.

Kështu kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës për Gazetën Online Insajderi, derisa në njoftimin e policisë thuhet se i arrestuari është kapur vetëm pak minuta pas grabitjes.

“Menjëherë pas informatës të gjitha njësitë policore të rajonit të Prishtinës janë aktivizuar me shpejtësi dhe kanë nisur punën e tyre në drejtim të identifikimit të të dyshuarit, marrjes e përpunimit të informacioneve si dhe kanë realizuar një operacion të rrufeshëm për kapjen e të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

“Ndërmarrja e këtij operacioni të shpejtë si dhe veprimet operativo- hetimore tejet të sofistikuara kanë rezultuar me kapjen dhe arrestimin e personit të dyshuar në ikje e sipër vetëm pak minuta pas ngjarjes. Arrestimi i të dyshuarit: F. R, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet me bazë të jetë i implikuar në rastin e grabitjes në fjalë u krye në lagjen Dardania të Prishtinës përderisa i njëjti po përpiqej ti shmangej ndjekjes së policisë”.

“Ndërkohë që policia ka arrestuar të dyshuarin, pas kontrollit të ushtruar ka arritur të gjej dhe sekuestroj: Një revole të llojit dhe tipit të veçantë, si dhe një sasi të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet të jenë paratë e grabitura”, thuhet më tej në raport. /Insajderi.com