Një shpërthim ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në rrugën B në Prishtinë, njofton Insajderi.
Siç njofton policia, një grabitje është realizuar duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes nga disa persona të dyshuar të cilët derisa kanë ikur, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim më të rojes së bankës.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për Insajderin se nuk raportohet për të lënduar.
“Sot rreth orës 05:30, kemi pranuar informatën për një shpërthim në rrugën “B” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore. Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor, dyshohet se një grabitje është realizuar duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes (eksploziv), nga disa persona të dyshuar të cilët në ikje e sipër kanë shtënë edhe me armë zjarri në drejtim të një personi (roje). Nuk raportohet për persona të lënduar”, ka thënë Ahmeti.
“Derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, ka thënë në fund Ahmeti. /Insajderi.com