Grabitje në një bankë në Vushtrri – Policia kap dy të rinj

Grabitje në një bankë në Vushtrri – Policia kap dy të rinj

Policia e Kosovës sot ka arrestuar dy të rinj për grabitjen e filialit mikrofianicar të një banke në rrugën “Hamit Hyseni” në Vushtrri.

“Nga informacionet e para të siguruara thuhej që grabitja ishte kryer nga dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës së ftoftë (thikës) nga viktima punëtore në filial kanë grabitur një shumë prej 250 €, duke ikur në drejtim të panjohur. Mbi bazën e informacioneve fillestare njësitet policore në Vushtrri, në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë, njësisë së qenve K9 dhe hetimeve rajonale, në bashkërendim kanë ndërmarrë të gjitha veprimet operative-hetimore, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, ku pas dy orë hetimi dhe kërkimi në dy lokacione të ndryshme është arritur që të identifikohen dhe të arrestohen dy persona të dyshuar për veprën penale grabitje’, thuhet në njoftim.

Të arrestuar janë E.H., 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, F. Z., 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

Në cilësi të provave materiale tek të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar një thikë dhe një maskë.

Dy të dyshuarve pas procedurave intervistuese me aktvendim të prokurorit të rastit u është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.