Izet Beqiri, që ishte ulur në mes të Grabovcit dhe Lushtakut në një darkë të organizuar nga Astrit Haraqija në Gjakovë, ndodhet në listën e INTERPOL-it dhe është i kërkuar nga autoritetet italiane dhe Policia Ndërkombëtare për trafikim të drogës. Beqiri është i akuzuar edhe për krim të organizuar në Kosovë

Adem Grabovci dhe Sami Lushtaku e kanë kaluar mbrëmjen e të hënës së 5 marsit në një restorant në Gjakovë. Ata ishin ulur afër njëri-tjetrit, por në mes të dy ish-zyrtarëve të lartë të shtetit ishte ulur një person që kërkohet nga INTERPOL-i për krim të organizuar.
Izet Beqiri, që ishte ulur në mes të Grabovcit dhe Lushtakut në darkën në Gjakovë, ndodhet në listën e INTERPOL-it dhe është i kërkuar nga autoritetet italiane dhe Policia Ndërkombëtare për trafikim të drogës, raporton Insajderi.
Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt dhe Izet Beqiri ishin ftuar të darkonin në Gjakovë nga Astrit Haraqija.
Bazuar në dokumentet e autoriteteve italiane të siguruara nga Insajderi, Izet Beqiri ishte dënuar me 14 vjet burg në Itali për trafikim të drogës. Për të ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar, por autoritetet italiane nuk kishin arritur ta kapnin.
Ndonëse ishte në kërkim të INTERPOL-it, Beqiri kishte arritur që të merrte vizë pikërisht nga ambasada italiane në Prishtinë. Siç kishte raportuar Insajderi në maj të vitit 2016, këtë ia kishin mundësuar përfaqësuesit e shtetit italian në Prishtinë.
Dosja Grande VII-Viza e dyshimtë për mikun e Ukë Rugovës, të kërkuar nga Interpoli
Për këtë dhe disa raste të tjera, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe Njësia e Policisë Kufitare të Kosovës për Hetime kishin nisur një hetim ndaj Beqirit dhe një grupi që dyshohet të jetë udhëhequr nga Ukë Rugova, i dyshuari kryesor për përfshirje në veprimtarinë e paligjshme të tregtisë me viza.
Në maj të vitit 2016, prokurori i EULEX-it, Allen Casick ngriti një aktakuzë ndaj Beqirit, Rugovës dhe 19 personave të tjerë për krim të organizuar në lidhje me veprën e kontrabandimit me migrantë, shkruan Insajderi.
Në mesin e 19 personave të akuzuar për këtë rast, është edhe ish-ministri i Kulturës Astrit Haraqija, i cili mblodhi Grabovcin, Lushtakun e Beqirin të darkonin së bashku.
Ndërkaq, gjatë një intervistimi të Beqirit në maj të vitit 2014, hetuesit e EULEX-it e kishin përballur atë me një dokument të gjetur në shtëpinë e tij gjatë bastisjes së realizuar më 5 shkurt të vitit 2014.
Në një sirtar në dollapin e dhomës së gjumit, Beqiri e mbante një dokument. Ishte futur në një mbështjellës të kaltër. Sipas hetuesve, ai dokument ishte një kërkesë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë. Kërkohej nga kjo ministri tërheqja e urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nëpërmjet Interpolit.
Po ashtu, vitin e kaluar Insajderi kishte publikuar përgjimet telefonike dhe përgjimet e e-maileve të grupit të dyshuar të Ukë Rugovës, të cilat shfaqin veprimtarinë e tyre të paligjshme të tregtisë me viza. Në këto përgjime është i përfshirë edhe Izet Beqiri.
Për më shumë, lexojeni hulumtimin e publikuar nga Insajderi vitin e kaluar: