Grabovci flet me përçmim për Veselin: More çfarë vendimi të kryetarit! Çfarë largimi!

Grabovci flet me përçmim për Veselin: More çfarë vendimi të kryetarit! Çfarë largimi!

Vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për largimin nga pozitat partiake dhe publike të anëtarëve të partisë që kanë aktakuza të konfirmuara, i është përgjigjur me përçmim Adem Grabovci, protagonisti i “Dosjes së Shefave”.

Grabovci, i cili ka aktakuzë në rastin e “Dosjes së Shefave”, duket se nuk e ka ndërmend të respektojë vendimin e Veselit. Ai ka folur me përçmim kur është pyetur për vendimin e Veselit.

“More çfarë vendimi të Kryetarit të Partisë? Çfarë largimi?”, ka deklaruar Grabovci, në një bisedë me Express.

Raportet e Grabovcit me Kadri Veselin kanë ndryshuar prej se kryetari i PDK-së vendosi t’i përjashtojë nga partia të gjithë ata anëtarë të PDK-së që kanë aktakuza.

Adem Grabovci, i cili prej tri vitesh ndodhej nën hije shkaku i skandalit të përgjimeve “Dosja e Shefave”, është rikthyer të marrë pozitë brenda PDK-së. Me 323 vota, është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë.

Fuqia e tij brenda PDK-së deri në vitin 2016 ishte e madhe. Këtë pushtet e përdorte për të punësuar në pozita shtetërore njerëz të afërm të tij. Kjo u dëshmua në serinë e përgjimeve telefonike “Dosja e Shefave”, të publikuar nga Insajderi në verën e vitit 2016.

Sipas përgjimeve, të cilat përfshinin periudhën dy mujore nga nëntori deri në dhjetor të vitit 2011, Grabovci punësonte qindra njerëz, zgjedhte dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Ai punësonte njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedhte prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre, Sali Mekajn e bën kryetar të Gjykatës së Apelit, Sylë Hoxhën e bën kryeprokuror të Prizrenit.

Për të gjitha këto veprime të Grabovcit, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tij dhe dhjetë të tjerëve – shumica prej tyre kolegë të partisë së tij – në vitin 2016. Rasti është ende në gjykim.