fbpx

Grabovci nuk kënaqej me tri intervista në muaj në Epokën e Re

Grabovci nuk kënaqej me tri intervista në muaj në Epokën e Re

“Krejt bashkë”, ishte titulli i një interviste të Adem Grabovcit për gazetën “Epoka e Re” më 28 Nëntor 2011.

Ballina e gazetës ishte krejt e kuqe. Në mes shqiponja e zezë. Mbi njërën kokë të shqiponjës ishte fotografia e Adem Grabovcit, shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.

Kjo intervistë përmendet në një përgjim telefonik të Adem Grabovcit, me kryeredaktorin e atëhershëm të Epokës së Re, Burim Etemaj.

Etemaj, i premtonte Grabovcit edhe dy intervista brenda muajit dhjetor. Por, shefi nuk kënaqej. Donte edhe më shumë hapësirë mediale.

Përgjimi telefonik në mes të Adem Grabovcit dhe Burim Etemajt është publikuar në pjesën e XXIII-të të përgjimeve telefonike, Dosja e Shefave.

Në këtë bisedë, Grabovci flet me Etemajn për hapësirën mediatike.

“Me 28 nëntor, t’kemi pas n’ballinë kryesore. A din çfarë balline ta kemi ba”, tregon ky gazetar.

“Hahahah…, le me 28 nëntor, po ma shumë, ma shumë, ma shumë”, kërkon Grabovci.

“Tash për Vit t’ri prapë ta bajmë ni intervistë, ma t’fortë, para Vitit t’ri po. Po edhe për numër festiv”, tregon gazetari.

Epoka e re

Etemaj, i cili aktualisht është këshilltar i nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti ka refuzuar të flas për këtë çështje.

“Në vend të përgjigjes, do t’u kthej prapa pyetjet në vijim: – Prej nga ideja se personi në fjalë jam pikërisht unë? – Përse u dashka qenë unë, ndërsa jo ndonjë ‘x’ person tjetër i mundshëm?”, ka thënë Etemaj, për Insajderin.

“Faktikisht, ju lutem që këto pyetje t’i merrni edhe si përgjigje nga ana ime. Kështu që s’keni pse të merrni mundin për t’u përgjigjur. Ndërkaq unë e konsideroj të mbyllur këtë temë për mua dhe kërkoj nga ju ta respektoni në plotni këtë vullnet timin”, ka thënë ai.

Insajderi e ka verifikuar nga shumë burime se personi që flet me Grabovcin, është Burim Etemaj./Insajderi.com