Adem Grabovci nuk e kaloi mirë periudhën e publikimit të serive të përgjimeve "Dosja e Shefave", madje ai kishte pranuar një CD të përgjimeve në shtëpinë e tij, pohoi shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti.
Zenun Pajaziti ka thënë se ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka pranuar një CD në të cilën ishin të inçizuara seritë e përgjimeve telefonike të “Dosjes së Shefave”.
Përmes këtij fakti që zbuloi, Pajaziti u shpreh se Grabovci nuk e përjetojë mirë periudhën e publikimit të përgjimeve, raporton Insajderi.
“Zotit Grabovci iu ka dërguar në derë të shtëpisë një CD me këto përgjime. Edhe ai ka familje, ka grua, ka fëmijë”, ka thënë Pajaziti në një intervistë me Saktë.net.
Edhe Grabovci pas publikimit të përgjimeve telefonike pati thënë se ai dhe gfamilja e tij ndjehen të terrorizuar. Ai kishte thënë se “në asnjë shtet nuk ndodhë që për një muaj të terrorizohet një njeri”.
“Më rëndë se unë nuk besoj se nuk po i përjetoni fyrjet që më bëhen gjatë këtyre ditëve, u kërkoj falje nga zemra dhe shpirti im dhe shprehë keqardheje për këtë që po ndodhë. Në asnjë shtet nuk ndodhë që për një muaj të terrorizohet familja për biseda private. Jemi njerëz dhe kemi momente dobësie”, kishte thënë Grabovci më 1 shtator të këtij viti.
Ndërkaq, Zenun Pajaziti, ka thënë se Adem Grabovci nuk e ka shkelur ligjin, bazuar në përgjimet e publikuara para rreth tre muajsh.
“Nuk e besoj që kur dikush e thirrë një politikan, dhe ai i thotë se nuk dua të të punësoj ty. Por, ligji shkelet vetëm atëherë kur veprohet, kur presioni është direkt apo keqpërdoret ligji apo një komision, apo një zyrtar”, ka thënë Pajaziti.
Zenun Pajaziti, ishte protagonist në serinë e XXVII të “Dosjes së Shefave”. Në një bisedë me Grabovcin, në këtë seri, Pajaziti i seleksiononte anëtarët e bordit të Ujësjellësit Rajonal të Gjilanit në bazë të përkatësisë politike, e jo në bazë të kritereve të kërkuara me ligj dhe me konkurs.
Insajderi përmes një serie bisedash telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë, ka dëshmuar se si këta njerëz e shtrijnë kontrollin dhe ndikimin e tyre mbi secilin institucion te Kosovës, përfshirë këtu edhe në sistemin gjyqësor e prokuorial, Policinë e Kosovës, universitetet dhe mediet. /Insajderi.com
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/moSwOYX-Wsk?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u”]