Grabovci: Thaçi mund të zgjedhet president edhe nesër

Hashim Thaçi duket se ende nuk e di nëse tetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës do ta festojë si president apo do të presë që kjo festë të kryhet, në mënyrë që ai të votohet në Kuvend për të parin e Shtetit.

Grabovci:  Thaçi mund të zgjedhet president edhe nesër

Por Adem Grabovci, zyrtar i lartë i PDK-së, thotë se zgjedhja e Thaçit në krye të shtetit mund të bëhet nesër ose pasnesër, por kjo mund të bëhet edhe pas shënimit të tetë vjetorit të Pavarësisë.

Por, sipas tij, Thaçi do të zgjedhet president brenda muajit shkurt.

“Nuk përjashtohet mundësia që do të mblidhet seanca para ose prapa 17 shkurtit. Por ajo që është shumë me rëndësi është se president do të kemi në përputhje me të gjitha afatet ligjore. Pra, deri në fund të muajit shkurt do ta kemi presidentin e ri”, ka thënë Grabovci në një bisedë për “Zërin”.

Por, edhe pse partnerët e koalicionit ende s’e kanë përcaktuar ditën kur do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit, Grabovci thotë se për ta shumë më e rëndësishme është që zgjedhja e presidentit të bëhet në përputhje me Kushtetutën, të gjitha ligjet dhe duke respektuar të gjitha procedurat dhe këshillat e marra nga partnerët ndërkombëtarë.

“Gjithsesi, duke respektuar edhe këshillat, edhe sugjerimet e partnerëve tanë të cilët sugjerojnë që të kemi qetësi, të ketë një transparencë të plotë dhe thjesht zgjedhja e presidentit të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe kështu edhe do të ndodhë”, ka thënë Grabovci, i cili thekson se janë të interesuar dhe do t’i respektojnë afatet, por nuk do të lejojnë që të kenë ndonjë vakum institucional.

Shefi i deputetëve të PDK-së ka folur edhe për respektimin e marrëveshjes me partnerët në koalicion, duke thënë se do ta respektojnë edhe më tutje ashtu siç e kanë respektuar deri më tani.