Graçanica i shpërblen zyrtarët komunalë me veshmbathje për punë jashtë orarit

Komuna e Graçanicë u ka blerë inspektorëve të saj veshmbathje, që "të vishen sado pak në mënyrë të njëjtë" dhe si shpërblim për punë jashtë orarit. Ligji i Punës e parasheh që për punë jashtë orarit punëtorët të kompensohen me pagesë shtesë dhe jo me veshmbathje. Për këtë blerje komuna ka shpenzuar 4 mijë e 555 euro

Graçanica i shpërblen zyrtarët komunalë me veshmbathje për punë jashtë orarit

Komuna e Graçanicës, përmes një tenderi të hapur e ka angazhuar një firmë nga Rahoveci që t’i furnizojë me veshmbathje zyrtarët e kësaj komune.

Veshmbathjet i ka blerë për inspektorët e kësaj komune, siç thotë komuna, me qëllimin që “të vishen sado pak në mënyrë të njëjtë”. Tërë kjo blerje komunës i ka kushtuar 4 mijë e 455 euro, shkruan Insajderi.

“Inspekcioni është një nga shërbimet komunale që drejtpërsëdrejti përfaqëson Komunën në publik dhe në mënyrë transparente, prandaj qëllimi ishte që inspektorët e komunës të vishen sado pak në mënyrë të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në përgjigjje.

Përveç unifikimit, veshjen e inspektorëve me rroba të reja, Komuna e Graçanicës e sheh edhe si shpërblim për zyrtarët e inspekcionit.

“Në këtë mënyrë kemi dashur të arrijmë që ky shërbim të ketë një mënyrë të dallueshme dhe të njëjtë të veshjes, adekuate për rëndësinë e këtij shërbimi, seriozitetin e punës që e kryen ky shërbim, por edhe si një formë e shpërblimit, sepse asnjë nga inspektorët nuk marrin kompensim për terren, i cili arrin vlerën më shumë se 100 € mbi pagën mujore, as nuk i paguhet puna jashtë orarit të punës apo puna e natës”, thuhet në përgjigjjen e kësaj komune.

Megjithatë, me ligjin e punës punëdhënësi, në këtë rast komuna, obligohet që orët shtesë të punës t’ua kompensojë punëtorëve me pagesë shtesë dhe jo me veshmbathje.

Shefi i prokurimit në Komunën e Graçanicës, Dejan Tododroviq ka thënë për Insajderin se bëhet fjalë për rroba ‘kat’, që përfshijnë pantollona, xhaketë dhe këpucë.

“Kemi bërë tender për veshje për zyrtarët e inspekcionit. Oferta më e lirë është kontraktu. Përfshin pantollona, këpucë, e kështu. Komplet domethënë”, ka thënë Tododroviq.

Kjo komunë gjithashtu ka marrë për bazë nenin 20 të ligjit për Inspeksionin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit, i cili i obligon ministritë përkatëse të sigurojnë veshmbathje, vetura dhe mjete pune për inspektorët. Por ky ligj nuk përmend veshjet për inspektorët komunal.

“Duke interpretuar në mënyrë analoge dhe logjike nenin 20 të këtij Udhëzimi Administrativ, obligimin e njëjtë e ka Komuna ndaj inspektorëve komunal të cilëve gjithashtu i sigurohet vetura dhe veshmbathje sezonale, mund të vërtetoni te ministria kompetente se nga ana e tyre nuk iu është siguruar inspektorëve komunalë as veshmbathja e as vetura por se kushtet e përmendura i siguron komuna”, thuhet në përgjigjjnen e Komunës së Graçanicës.

Gjithashtu, në titullin e tenderit të shpallur nga kjo komunë, nuk përmenden inpektorët. Titulli i tenderit është: “Furnizim i veshjeve për nevojat e zyrtarëve komunal”.

Pronari i kompanisë “Ellcana”që është kontraktuar për këtë tender, Mahir Cana, ka thënë për Insajderin se modeli i rrobave nuk është i njëjtë për zyrtarët që kjo kompani do t’i furnizojë me rroba.

“Nuk është një model i njëjtë. Ka specifika të ndryshme. Ne zakonisht ua bëjmë tegetin më të msheltë, më të çelët. Vetë vijnë edhe i zgjedhin. Unë e kam dyqanin. Krejt janë teget, por ndryshon nuanca”, ka thënë ai.

Ndërkaq Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, nuk e di nëse ndonjëherë më herët ka pasur tender të tillë për furnizim me veshmbathje për zyrtarët e komunave. /Insajderi.com