Gradohen 127 togerë në Policinë e Kosovës

Gradohen 127 togerë në Policinë e Kosovës

127 togerë u janë shtuar sot Policisë së Kosovës pas një procesi disa mujor të testimeve dhe trajnimeve të suksesshme, njofton Insajderi.

Këta togerë të u graduan sot përmes një ceremonie virtuale, në të cilën morën pjesë menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës dhe vetë zyrtarët e graduar.

Ceremonia virtuale është udhëhequr nga u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z.Samedin Mehmeti, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar kolegë:

Jemi mbledhur sot në këtë takim virtual për të shënuar një ndër ditët më të rëndësishme të karrierës suaj, si dhe rritjes dhe zhvillimit të organizatës sonë.

Duke ditur se sa është e rëndësishme kjo ditë për ju, familjet tuaja dhe për Policinë e Kosovës, do të doja që ky takim të zhvillohej me një ceremoni ashtu siq ju e meritoni, mirëpo rrethanat e krijuara nga pandemia ‘Covid-19’ dhe qëllimi të ruajtjes së shëndetit, na ka detyruar që kësaj radhe të takohemi në këtë formë.

Ju jeni këtu në përfundim të një procesi të gjatë pas një rrugëtimi sa të vështirë aq edhe emocionues, i përcjellë me shumë sfida dhe mjaft konkurrues, që do të thotë se Policia e Kosovës ka selektuar më të suksesshmit nga radhët e saj.

Ky proces gradimi është thelbësor në zhvillimin e kuadrove të reja dhe në avancimin e vazhdueshëm të stafit policorë, me qëllim që t’u ipet mundësia që këto aftësi profesionale të shndërrohen në përformancë efektive.

Ju patët kurajon dhe vendosët që të merrni mbi vete përgjegjësi shtesë, do të keni më shumë kompetenca por do të ju shtohet llogaridhënia.

Marrë parasysh rëndësinë dhe pozitat në të cilat do të caktoheni, nga ju pritet një performancë dhe përkushtim ndaj përmbushjes së detyrave tuaja me qëllim të realizimit të misionit tonë në zbatimin i ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës Republika Kosova – Republic of Kosovo Qeveria – Vlada – Government Ministria e Punëve të Brendshme Ministarstvo Unutrašnjih Poslova / Ministry of Internal Affairs Policia e Kosovës/Policija Kosova/Kosovo Police Drejtoria e Përgjithshme e Policisë/ Generalna Policijska Direkcija/General Police Directorate

Nga ky moment i gradimit, ju do të jeni mbikëqyrës të vijës së mesme menaxhuese dhe do të merrni përgjegjësi për menaxhimin, udhëheqjen, mbikëqyrjen, trajnimin, këshillimin dhe disiplinën e të gjithë punonjësve të cilët do të jenë nën mbikëqyrjen tuaj.

Arritja e synimeve tuaja dhe ngritja në karrierë, juve ju shton vlerë dhe privilegj, por në të njëjtën kohë pritjet që organizata ka nga ju, janë të mëdha dhe unë jam i sigurt që ju do të punoni me përkushtim dhe do të jeni në nivel të detyrës çdo herë dhe në çdo kohë.

Unë jam gjithashtu, i bindur që ju keni shtuar njohuritë tuaja rreth mbikëqyrjes gjatë kësaj periudhe trajnuese në Akademi, të cilat do t’i zbatoni në pozitat e reja udhëheqëse, andaj besoj se ju do ta keni vullnetin dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve tanë, me nder, korrektësi, transparencë dhe paanshmëri.

Ruajtja e rendit dhe siguria po bëhet gjithnjë e më komplekse dhe kjo po konfirmohet çdo ditë në teren. Nuk ka qenë kurrë më i nevojshëm bashkëpunimi, për të zgjidhur çështjet dhe problemet që e preokupojnë komunitetin.

Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e menaxhmentit, sfidat dhe vizionin e Policisë së Kosovës, ju ftoj të gjithë juve, që të tregoheni personalisht përgjegjës dhe të përgjegjshëm për veprimet tuaja, duke qëndruar gjithmonë brenda kufijve të zbatimit të ligjit dhe profesionalizmit në kryerje të të gjitha detyrave që do të ngarkoheni.

Ne do të punojmë së bashku, të vetëdijshëm që e ardhmja do të sjellë sfida të reja, rritja dhe kompleksiteti i të cilave do të ndryshojë vazhdimisht. Por unë jam i sigurt se në vazhdimësi do të përballeni me to, do t’i tejkaloni ato me kurajë dhe zell, ndërsa arritjet dhe sukseset do t’ju bëjnë më të fortë.

Të nderuar miq dhe kolegë, në sajë të angazhimit, bindjes, shërbimit dhe sakrificës suaj, shteti jonë do të jetë më i qëndrueshëm dhe më i sigurtë.

Më lejoni edhe njëherë që të ju uroj për gradimin tuaj, duke ju dëshiruar suksese, shëndet dhe fat në punën tuaj. /Insajderi.com