Gratë që kryejnë lindjen në Prishtinë, në siklet nga punëtorët që po e fasadojnë Klinikën Gjinekologjike

Gratë që kryejnë lindjen në Prishtinë, në siklet nga punëtorët që po e fasadojnë Klinikën Gjinekologjike

Në Klinikën e Gjinekologjisë Obstetrike në QKUK po kryhen disa punime që po i bëjnë gratë që shkojnë për t’i lindur foshnjet e tyre, të mos ndihen rehat gjatë qëndrimit aty.

Në dhomat e mamive ku gratë dërgohen pasi kanë kryer lindjet me operacion, nuk lejohen të hyjnë as bashkëshortët e tyre. Por gjithçka çfarë ka brenda mund të shohin punëtorët që po e përgatisin fasadimin e pjesës së prapme të objektit, shkruan Insajderi.

Shumica e dritareve në këto dhoma por edhe në dhomat tjera nuk kanë perde apo roleta. Kjo po i bën gratë që përveç dhimbjeve të lindjes dhe ato gjatë kurimit, të kenë një shqetësim edhe më të madh.

Bashkëshorti i njërës prej grave të shtrira në Klinikën e Gjinekologjisë ka treguar për sikletin që e ka pasur gruaja e tij gjatë qëndrimit në QKUK.

Gjatë lindjes gjithçka ka shkuar mirë, përderisa ka dalë beba mirë edhe nëna mirë. Deri këtu çdo gjë në rregull. Ditën e nesërme i kanë transferu në dhomat e mamive në katin e tretë, ku rrinë nënat me beba që e kanë kryer procesin e lindjes me operacion. Por punimet që janë duke u bë në spitalin e lindjes po shkaktojnë parahati te gratë. Në pjesën e prapme, dritaret janë pa perde. Më e keqja që mundet me ndodhë, një nënë detyrohet me e ushqy beben duke e pasë mbi krye molerin ose punëkryesin te dritaret. Gruaja aty nganjëherë nuk mundet me u mbulu, shplohet ose diçka. Paramendoni..“, ka thënë ai për Insajderin.

Por për të edhe më shqetësues është një fakt tjetër. Gratë, sipas tij, ngurrojnë të shkojnë edhe në tualet, pasi as aty nuk ka perde apo roleta.

“Për mua çka është ma shqetësuese janë tualetet. Gratë s’kanë mujtë me shku as në tualet se dritaret edhe aty janë pa perde. Çdo gjë është e hapun, shihesh si në televizion”, tregon ai.

Për 5 ditë sa ka shkuar në Klinikën e Gjinekologjisë për ta kuptuar gjendjen e gruas dhe fëmijës së tij, 42 vjeçari thotë se është tmerruar.

Para rreth një muaji, Insajderi ka raportuar edhe për një punëtor që lyente muret brenda dhomës ku një paciente ishte duke marrë kimioterapi. /Insajderi.com