Grenell: Administrata Biden ka humbur shansin për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Grenell: Administrata Biden ka humbur shansin për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Richard Grenell, ish-emisari amerikan për Dialogun Kosovë-Serbi, beson se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka humbur shansin për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Insajderi.com.

Këtë konstatim, Grenell e ka thënë përmes një videoje të publikuar, ku ka folur për Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila më 4 shtator mbushi një vit.

Këtë marrëveshje e ka quajtur moment historik, teksa ka kritikuar Administratën Biden duke thënë se nuk ka asnjë të dërguar presidencial për negociata.

“Në shtator të vitit 2020 presidenti Trump solli krerët e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Ai vendosi të dyja palët në të njëjtën dhomë për të nënshkruar një marrëveshje ekonomike, e cila është historike. Fatkeqësisht kemi parë Administratën Biden që ka humbur plotësinë mundësinë që Trump ua dha atyre”.

“Unë dua të fokusohem në një çështje të kësaj marrëveshje. Ne kemi punuar shumë për t’i bërë të dyja palët të ndalojnë fushatat e njohjes dhe çnjohjes. Dhe për ata që nuk e dinë, Kosova po përpiqej të lobonte për njohje të reja si dhe të anëtarësohej në organizata ndërkombëtare. Ndërsa, Serbia po përpiqej t’i bindte vendet që ta tërheqin njohjen nga Kosova”, ka thënë Grenell.

Ai thotë se ish-presidenti amerikan Donald Trump, në praninë e të cilit u nënshkrua marrëveshja ekonomike Kosovë-Serbi, ka arritur të ndalojë fushtat e njohjes dhe çnjohjes nga këto dy vende për dy vite. Por, sipas tij, pasi marrëveshja përfundoi, Biden nuk u përpoq ta vazhdojë.

“Ajo që ne arritëm për të bërë, është t’i ndalonim fushatat e njohjes dhe çnjohjes për një vit. Ata ranë dakord që për një vit do ta bënin këtë gjë. Fatkeqësisht ajo marrëveshje mori fund dhe administrata biden nuk u përpoq ta vazhdojë. Nuk ka asnjë të dërguar special të emëruar nga SHBA të përpiqet që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë këtë marrëveshje të jashtëzakonshme”.

Ndërsa, në fund ka thënë se shpreson që të dyja vendet ta zbatojnë këtë “marrëveshje historike” si dhe “mundësinë që ne u kemi dhënë për të zgjidhur disa probleme”./Insajderi.com