Richard Grenell, ish-emisari amerikan për Dialogun Kosovë-Serbi, beson se Joe BIden është “duke e injoruar” Kosovën dhe gjithë rajonin.
Këtë konstatim, Grenell e dha përmes një shkrimi autorial në “The Federalist”, ku shkroi për Marrëveshjen e Uashingtonit, akt që më 4 shtator mbushi një vit.
“Biden vazhdon të injorojë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe gjithë rajonin. Ai ka vendosur të mos ndërhyjë. Nuk ka asnjë të dërguar presidencial për negociata dhe asnjë diskutim e plan për rajonin në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.
Sipas tij, edhe në vazhdim do të jetë e njëjta qasje e administratës Biden në raport me Ballkanin Perëndimor.
“Nuk ka asnjë vizitë të planifikuar të zyrtarëve të lartë amerikanë, as ndonjë datë për mbërritjen e udhëheqësve ballkanikë në Uashington”.
Gjithashtu, Grenell shpjegoi “qëllimin e Trump-it”, në marrëveshjen që për synim kishte normalizimin ekonomik.
“Ishte vizioni i Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe për të ndihmuar në krijimin e një rigjallërimi të plotë në të gjithë Ballkanin”.
Sipas tij nën drejtimin e dialogut nga Brukselit “s’do të ketë ndihmë të shpejtë për Kosovën e Serbinë”.
Ndërsa, për orientimin e bisedimeve nga Uashingtoni, Grenell përmendi disa suksese, që përfshinë marrëveshjen për hekurudhat dhe vijën ajrore Prishtinë-Beograd.
Marrëveshja e Uashingtonit ishte nënshkruar në dy dokumente, njërën e nënshkroi kryeministri atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, e tjetrën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pjesa më e madhe e pikave ishin të njëjta; si për shembull ajo që e përmendi Grenell; shpallja e Hezboallahut si organizate terroriste.
Ndërkaq, pika që Serbia s’e nënshkroi, por Kosova po – ka qenë njohja nga izraeli, e cila ndodhi – më 1 shkurt 2021 Kosova dhe Izraelin lidhën marrëdhënie diplomatike.
Të dy vendet ishin të obliguara ta dërgonin ambasadën në Jerusalem, Prishtina e ka bërë, Beogradi ende jo. Lokacion i kontestuar në rrafshin gjeopolitik.
“Besimi i Presidentit Trump që nga fillimi ka qenë se besimi është ndërtuar së pari në procesin e krijimit të mundësive dhe të ardhmave për të rinjtë, sesa në zgjidhjen e pkave, simbolizmin ose ndreqjen e gabimeve historike”, ka shkruar ndër tjerash Grenell.
Pikërisht, Donald Trump gjatë kampanjës për president vitin e kaluar, kishte thënë se “e ka ndaluar vrasjen ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”.
Në atë kohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, opozitar i atëhershëm kishte mbështetur hapur Joe Biden për president, e fjalimet e Trump-it i kishte quajtur “shfaqje” bashkë me të edhe marrëveshjen për të cilën besonte se “nuk vlen më shumë sesa ngjyra e printerit”.
Edhe si kryeministër, Albin Kurti, s’ka pranuar që ta ratifikojë atë marrëveshje.
Ky i fundit ka pasur përplasje virtuale me Richard Grenllin i cili për Kurtin beson se është “anti-amerikan”. /Insajderi.com