Grenell kërkon nga Serbia të ndalojë fushatën lobuese kundër Kosovës

Grenell kërkon nga Serbia të ndalojë fushatën lobuese kundër Kosovës

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pas takimit që e ka pasur me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa deklaroi edhe një herë se ata nuk janë të interesuar të ndërhyjnë në formimin e qeverisë, por janë të interesuar të shtyjnë përpara zhvillimin ekonomik në Kosovë.

Grenell edhe nga selia e LDK-së, para gazetarëve kërkoi largimin e taksës 100 përqind ndaj Serbisë, por theksoi se edhe kjo e fundit duhet të ndërpret fushatën e dëmshme lobuese karshi Kosovës.

“E përçova të njëjtin mesazh që ne në Amerikë nuk jemi të interesuar në përfshirje në atë sesi do të formohet qeveria, dhe ajo se çfarë jemi të interesuar është zhvillimi ekonomik. E ndava vizionin tim për arritjen e shpejt të qëllimit, ku do e heqim taksën dhe Serbia të ndal fushatën e saj për mosnjohjen e Kosovës. Mendoj se këto të dyja janë hapat e ardhshëm. I shkëmbyem disa ide ekonomike sesi të ecim përpara dhe të krijojmë më shumë energji  dhe entuziazëm për vende të punës. Ne biseduam më specifikash për projektet që po vijnë, mendoj se do i kemi disa njoftime në të ardhmen e afërt për më shumë progres kur flitet për vende të punës”, u shpreh Grenell.

Diplomati amerikan tha se në Kosovë dëshirojnë të sjellin energji dhe ide pozitive që përqendrohen në krijimin e vendeve të reja të punës.

“Ne dëshirojmë të sjellim disa nga këto ide dhe energji këtu në këtë regjion dhe mendoj që fillon me ndërprerjen e luftës politike dhe të përqendrohen në atë se çfarë janë gjërat që mund të bëhen nga këndvështrimi ekonomik për të krijuar vende të reja të punës, biznese të reja këtu në Kosovë dhe Serbi dhe në tërë rajonin dhe si të krijojmë vende pune me paga më të mira, ky do të jetë fokusi ynë”, tha ai.

Ambasadori Grenell më herët gjatë ditës takoi edhe mandatarin për kryeministër, Albin Kurti, kurse dje është takuar me presidentin, Hashim Thaçi.

Grenell nesër pritët të shkojë në Serbi për t’u takuar me presidentin, Aleksandër Vuçiq.