Grenell shënon rezultatet e para në dialog – hapet linja ajrore Prishtinë-Beograd

Grenell shënon rezultatet e para në dialog – hapet linja ajrore Prishtinë-Beograd

Aviokompania Lufthansa ka njoftuar autoritetet e Kosovës se do të hapë linjën ajrore Prishtinë-Beograd në një të ardhme shumë të afërt.

Kjo është bërë në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, në prezencën e ambasadorit Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se e mirëpret hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, thotë se kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“E mirëpres nënshkrimin e Letrës së Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd”.

“Sigurisht që kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

“Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për Ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, shkruan Thaçi.