Grenell thotë se është shkelur marrëveshja e Brukselit me aksionin në veri: Biden të mos heshtë

Grenell thotë se është shkelur marrëveshja e Brukselit me aksionin në veri: Biden të mos heshtë

Ish-Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pas aksionit të sotëm në veri për çka thotë se është shkelje e marrëveshjes së Brukselit, njofton Insajderi.com.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Grenell ka akuzuar se po bëhen manipulime politike nga disa persona në Prishtinë, para zgjedhjeve që do të mbahen këtë të diel.

Ai i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Joe Biden, që të mos heshtë.

“Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe duhet të ndjehet – kjo është shkelje e saj. Manipulimet politike të disave në Prishtinë para zgjedhjeve lokale të së dielës në Kosovë duhet të ndalen. Është e rrezikshme dhe e pamatur. Joe Biden po ashtu nuk duhet të jetë i heshtur në këtë situatë”, ka shkruar Grenell.

Gjatë mëngjesit të së mërkurës, në Mitrovicën e Veriut janë rikthyer barrikadat e serbëve lokalë pas aksionit të Policisë kundër kontrabandës me mallra.

Ky plan operativ i Policisë u pengua pasi rrugët kryesore u bllokuan.

Përmes një kumtese, Policia ka treguar se “zyrtarët policorë janë rrezikuar nga grupet kriminale”, pasi në përdorim janë vënë edhe armët e zjarrit.

Policia në vetëmbrojte dhe për ta ruajtur qetësinë ka përdorur të gjitha mjetet e ligjshme.

Veriu i Kosovës

Pas gjithçka që ndodhi sot, drejtori i PK-së, Samedin Mehmeti, tha se gjatë operacionit kundër kontrabandimit me mallra në Mitrovicën e Veriut, 10 zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore.

Në një konferencë për media, Mehmeti tha se gjatë kthimit të pjesëtarëve policorë nga Mitrovica ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të tyre – për çka është dashur që Policia të ndërmarr veprimet krahas situatës së krijuar.

Sipas tij, policët e Kosovës janë sulmuar me armë zjarri, me granata dore, të cilat përdoren edhe në luftëra, dhe po ashtu ka pasur hedhje edhe të shok bombave.

Po ashtu, ai tha se ka dyshime që lidhur me operacionin kundër kontrabandimit të mallrave ka pasur rrjedhje të informacionit. /Insajderi.com