Gresa Caka-Nimani vihet në krye të Gjykatës Kushtetuese

Gresa Caka-Nimani vihet në krye të Gjykatës Kushtetuese

Gresa Caka-Nimani ka pranuar të premten e 25 qershorit, detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese nga ish-kryetarja Arta Rama-Hajrizi, transmeton Insajderi.

Derisa mori detyrën e re, Caka-Nimani foli për pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe rolin e saj përcaktues në ruajtjen e rendit kushtetues, balancimin dhe ndarjen e pushteteve, si dhe për avancimin e sundimit të ligjit.

Zgjedhja e Cakës-Nimanit në krye të Kushtetueses u bë më 17 maj të këtij viti, ndërsa mandati i saj do të zgjasë tri vjet.

Deri në emërimin e saj si gjyqtare, Caka-Nimani ka punuar në USAID.

Në biografinë e saj të publikuar në faqën e Kushtetueses thuhet se në të kaluarën Caka-Nimani ka qenë pjesëmarrëse në grupe të ndryshme punuese për hartimin e legjislacionit në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa gjatë viteve 2006-2008 ka qenë koordinatore dhe këshilltare e mbështetjes së Qeverisë Amerikane për Grupin Punues dhe më pas për Komisionin Kushtetues, përgjegjës për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. /Insajderi.com