Gripi i Shpezëve në Kosovë, asgjësohen rreth 10 ferma

Gripi i Shpezëve në Kosovë, asgjësohen rreth 10 ferma

Pas konfirmimit të prezencës së Gripit të Shpezëve tipi H5N5 në Kosovë, rreth 10 ferma janë asgjësuar.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Insajderi-n, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

“Deri më tash janë diku rreth 10 ferma që janë asgjësuar, kryesisht janë ferma të ekonomive familjare që pas marrjes së mostrave kanë rezultuar pozitiv në Gripin e Shpezëve H5N8”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka treguar se rastet e Gripit të Shpezëve që janë konfirmuar janë në shumicën e komunave të Kosovës, përfshirë këtu Prizrenin, Rahovecin, Skenderajn, Mitrovicën, Malishevën dhe disa komuna tjera.

Ai ka shtuar se inspektorët janë në teren duke lokalizuar fermat e prekura tek të cilat kryhen të gjitha shërbimet duke përfshirë edhe asgjësimin e shpezëve të ngordhura dhe atyre prezentë ne fermë nën mbikëqyrje të veterinerëve zyrtar duke respektuar masat e biosigurisë./Insajderi.com