Bashkëshortja e Faik Fazliut, gazetarja Alketa Gashi-Fazliu, i ka hedhur poshtë pretendimet e policisë se burri i saj ka kërcënuar verbalisht një polic gjatë mbrëmjes së djeshme në Prizren, njofton Insajderi.
Ajo tha se zyrtarët policorë kanë tejkaluar të gjitha kompetencat e tyre, duke e sulmuar dhe rrëzuar përtokë bashkëshortin e saj, derisa Fazliu nuk ka bërë asnjë reagim të vetëm.
“Ata e kanë sulmuar edhe e rrëzuan përtokë. E lidhën dhe e dërguan në polici. Zyrtarët policorë i kanë tejkaluar të gjitha kompetencat e tyre. Faiku nuk kishte asnjë reagim të vetëm, fare fare, aty isha me të”, tha ajo për portalin ‘Sinjali’.
Gjatë paradites së sotme janë publikuar pamjet nga vendi i ngjarjes, ku shihet Fazliu se si bie përtokë pas shtyerjes nga ana e zyrtarëve policorë, ndërkaq, në raportin e Policisë u tha se ai ka kërcënuar policinë.
Fazliu momentalisht ndodhet në mbajtje dhe prokurori ka iniciuar kundër tij rastin “Kanosje ndaj personit zyrtar”. /Insajderi.com