Gruaja e ministrit nga AKR-ja punësohet në Ministrin e Diasporës

Gruaja e ministrit nga AKR-ja punësohet në Ministrin e Diasporës

Burbuqe Matoshi është punëtorja më e re që gjatë këtij muaji i është shtuar stafit të Ministrisë së Diasporës.

Matoshi, e cila është bashkëshortja e ministrit të Mjedisit në dorëheqje, Fatmir Matoshi, ka dalë kandidatja më e suksesshme me 342,3 pikë të fituara në konkursin për pozitën “Zyrtar i lartë për Arsim” në këtë dikaster.

Ministria e Diasporës nuk ka kthyer përgjigjeje gjatë ditës në pyetjet për procedurat e konkursit dhe si u bë që gruaja e ministrit Matoshi ka përmbushur kriteret e kërkuara.

Por, ministri i Mjedisit i ka thënë KTV-së se ai nuk ka ndikuar që bashkëshortja të punësohet në ministrinë që udhëhiqet nga Dardan Gashi.

Matoshi, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë t’i ketë kërkuar gruas që të mos e ndërrojë vendin e mëparshëm të punës.

“Jo, nuk e kam përdorur asnjë ndikim, personalisht kam qenë dhe jam kundër që Buqja me ndërru’ vendin e vet të punës. Ajo, qe 5 vjet, është në punë dhe punon si profesoreshë e psikologjisë. Sido që të jetë, është e drejta e saj me apliku’ dhe neve na mbetet me e ba një zgjidhje për kujdesin ndaj fëmijëve, për shkak të orarit ma të gjatë të punës në pozitën e re”, ka thënë ministri Matoshi.

Matoshi është pjesë e kabinetit në dorëheqje të Haradinajt, nga radhët e AKR-së së Pacollit.