
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është deklaruar rreth situatës së krijuar në këtë vend me rastin e dorëheqjes së Zoran Zaevit nga drejtimi i partisë dhe qeverisë, transmeton Insajderi.com.
Grubi tha se aleatët e Zaevit në qeveri i kanë kërkuar që të tërheqë deklaratën e tij dhe se nuk pajtohen me vendimin për dorëheqjen e tij.

Kryeministri i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev
“Dje kur e takova Zaevin pasi kishte deklaruar dorëheqjen dhe më tha do të duhet të marrësh përsipër udhëheqjen e qeverisë që nga nesër, por i thashë që në fakt nuk duhet të ndodhë ashtu sepse ne nuk pajtohemi me dorëheqjen e tij”, tha Grubi në emisionin “Opinion” të Klan TV-së.
“Ai duhet ta tërheqë atë dhe duhet të vijojmë me punët pasi kësaj shumicë i duhet Maqedonisë së Veriut. Të gjithë ne partnerët e koalicionit të tij, sot në takim të përbashkët në qeveri i thamë që kjo nuk pranohet dhe do duhet ta rishqyrtojë pozicionin e tij pasi i duhet vendit, i duhet kësaj shumice”, shtoi Grubi.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut njëherësh edhe kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev, është dorëhequr nga pozitat që kishte pas rezultateve të arritura në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë vend që u mbajtën më 31 tetor. /Insajderi.com