Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike është mbledhur sot për të shqyrtuar Projektligjin nr. 06/L-028 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Akademik Zejnullah Gruda, anëtar i Komisionit të ri për demarkacion, ka thënë se komisioni i vjetër është lëshuar në një punë që nuk ka qenë i thirrur ta bëjë, raporton KTV.
“Jam njëri nga ata që herët jam prononcuar për këtë marrëveshje. Kam folur disa muaj para se të nënshkruhet marrëveshja. Komisioni i vjetër është lëshuar në një punë që nuk kanë qenë të thirrur ta bëjnë. E ky është shtrembërimi më i madh. Kur ka filluar punën komisioni është parë qartë se të dyja komisionet kanë shkuar me agjenda të ndryshme. Komisioni ynë ka qenë i mandatuar për të shënjuar kufirin e pala malazeze ka pasur mandat për caktim të kufirit. Kur delegacionet janë takuar është dashur t’i shkëmbejnë plotfuqitë, autorizimet palës tjetër. Ajo që është vërejtur është që nuk kanë pasur plotfuqi. Është dashur delegacioni ynë kur ka parë se mandati i palës malazeze është diçka tjetër t’i ndërpriste bisedimet. Nuk është vepruar kështu”, ka thënë Gruda.