Grupet në Euro 2016 që mbajnë gjallë shpresën e Shqipërisë për kualifikim

Grupet në Euro 2016 që mbajnë gjallë shpresën e Shqipërisë për kualifikim

Në rast fitoreje të Shqipërisë të dielën në ndeshjen e saj të fundit në fazën e grupeve, tifozët shqiptarë do të kenë sytë kah së paku dy grupe rezultatet në të cilat mund të përcaktojnë fatin e  Shqipërisë në Euro 2016.

Shqipëria aktualisht nuk ka asnjë pikë të mbledhur në Grupin A pas humbjeve nga Franca dhe Zvicra, por në rast fitoreje ndaj Rumanisë, tre pikë mund të jenë të mjaftueshme për Shqipërinë.

Siç dihet, për shkak të shtimit të numrit të ekipeve pjesëmarrëse në Euro 2016, katër ekipet e treta më të mira prej gjashte grupeve do të vazhdojnë betejën për t’u shpallur kombëtarja më e mirë e Evropës për katër vitet e ardhshme.

Grupet më të mundshme për t’i pasur dy skuadra me më pak se tre pikë janë, Grupi D dhe E.

spanja

Grupi D – Janë zhvilluar dy ndeshje, nga të cilat Spanja ka grumbulluar gjashtë pikë ndërsa Kroacia katër. Shqipëria duhet të shpresojë tek barazimi në ndeshjen e fundit në mes të Çekisë dhe Turqisë, çka do të bënte që këto dy skuadra të mbesin me një dhe përkatësisht dy pikë.

Ndeshjet e fundit në grup: Çeki – Turqi dhe Spanjë – Kroaci

itali

Grupi E – Në këtë grup dy ndeshjet e fundit (Itali – Irlandë dhe Belgjikë-Suedi), duhet që dy skuadrat favorite, Italia dhe Belgjika, të marrin së paku barazime, në mënyrë që dy skuadrat e fundit në grup, Suedia dhe Irlanda, të mbetnin me më pak se tre pikë.

Ndeshjet e fundit në grup: Itali – Irlandë dhe Belgjikë – Suedi

Më pas në grupet e tjera, duket pak më e vështirë të ketë dy skuadra me më pak se tre pikë, megjithatë ka edhe shumë kombinime të tjera që e kalojnë skuadrën kombëtare shqiptare në fazën tjetër – e disa nga këto duhet llogaritur në matematikën e gol-dallimit, e cila ka shumë rezultate.

Në të gjitha rastet, për të shpresuar në kualifikim kombëtarja shqiptare duhet të triumfojë në “finalen” e saj ndaj Rumanisë. Çdo fitore e Shqipërisë me më shumë se një gol dallim, e bën edhe më favorite atë për të kaluar fazën e grupit dhe i jep edhe më shumë mundësi reale për kualifikim.

Shqipëria dhe Rumania do të ndeshen nesër në Lyon, me fillim nga ora 21:00. /Insajderi.com