Në Gjykatën Speciale në Hagë të enjten është mbajtur konferenca e dytë përgatitore për gjykim në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj në të cilën është diskutuar rreth paketave që vitin e kaluar u dorëzuan në zyrat e kësaj organizate.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se ato materiale kanë qenë konfidenciale, për çka nga mbrojtja është thënë se të akuzuarit nuk kanë qenë në dijeni.
Madje, ata thonë se as nuk e kanë ditur nëse janë dokumentet autentike apo falso.
Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka thënë se ZPS nuk e ka vërtetuar statusin e mbrojtur konfidencial të dokumenteve.
“Të akuzuarit e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre, ata nuk e kanë ditur se natyra e këtyre dokumenteve ishte konfidenciale apo nëse këto dokumente ishin autentike apo false, zoti Gucati nuk është avokat, nuk është jurist, dhe ato duhet të shihen dhe të pranohen sit ë tilla pra si komente të bëra nga një person që nuk është jurist.
“Qëndrimi ynë është i ngjashëm me atë të zotit Rees, sipas nesh trupi gjykues do të duhet t’i shikoj të gjitha ato video incizime të gjitha konferencat për shtyp, dhe të gjitha komentet e bëra në media, dhe ato t’i bëjë brenda një konteksti. Nuk është e mjaftueshme që trupi gjykues ti shqyrtoj në hollësi to materiale vetëm nga transkriptet, duhet t’i shikoj të gjitha ato brenda një konteksti para se të nxjerr vendimet e veta”, ka thënë Cadman.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për ndërhyrje në drejtësi, saktësisht për frikësim të dëshmitarëve për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata janë arrestuar më 25 shtator nga forcat e EULEX-it me urdhër të Gjykatës Speciale./Insajderi.com