
Dy ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, nuk kanë marrë pjesë të mërkurën në seancën e parë përgatitore të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.
Kryetari i trupit gjykues tha se dy të lartpërmendurit kanë hequr dorë nga të qenit të pranishëm.
Në seancë, fillimisht është diskutuar çështja e pjesëmarrjes së dëshmitarëve të zgjedhur nga Prokuroria e Specializuar në procesin gjyqësor.
Lidhur me këtë, mbrojtja e Gucatit dhe Haradinajt, ka kërkuar që prokuroria t’i publikojë emrat e dëshmitarëve që ka zgjedhur për t’i dëgjuar, derisa prokuroria përmes një parashtrese, është shprehur se nxjerrja e emrave të tyre, “do mund t’i rrezikonte”./Insajderi.com