Gucati e Haradinaj paraqiten këtë javë para Speciales si të akuzuar

Gucati e Haradinaj paraqiten këtë javë para Speciales si të akuzuar

Gjykata Speciale ka njoftuar se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj do të dalin para gjyqit si të akuzuar gjatë kësaj jave, njofton Insajderi.

Derisa Nasim Haradinaj do të paraqitet nesër para kësaj gjykate në orën 15:00, Hysni Gucati do të dalë të premten, më 18 dhjetor nga ora 11:00.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhet në njoftim.

“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara”, bëhet tutje e ditur. /Insajderi.com