Gucati në Speciale

Gucati në Hagë: Do dorëzohesha vetë – s’kanë pasur nevojë të hyjnë në atë formë në zyrat e OVL-së

Me përgjigje të shkurtra dhe pa komente rreth legjitimiteti të Gjykatës Speciale është paraqitur para gjykatësit, kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati. Ai dyshohet nga Gjykata për veprat penale të “frikësimit, hakmarrjes dhe shkelje së fshehtësisë së procedurës”. Prokuroria ka prezantuar dyshimin rreth tij, mbrojtja ka kërkuar lirim me kusht, ndërsa gjykatësi ka kërkuar të dijë se kur do të prezantohet një aktakuzë e plotë për Gucatin. Nga prokuroria është thënë se ajo do të vije në një afat prej 30 ditësh.

Gucati në Hagë: Do dorëzohesha vetë – s’kanë pasur nevojë të hyjnë në atë formë në zyrat e OVL-së

“Nuk kanë pasur nevojë të hynë në atë formë, kanë mundur të më ftojnë mua dhe unë do të isha dorëzuar vetë”, ka thënë Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në deklarimin e tij para gjykatësit në Gjykatën Speciale në Hagë, njofton Insajderi.

Fjalë pak dhe i shkurtër në prononcimet e tij, Gucati nuk ka pasur ankesë tjetër, ndërsa ka falënderuar personelin për sjellje të mirë – sidomos pasi e kanë kuptuar se është invalid lufte.

Ai vetëm ka deklaruar se qëndron prapa atyre që ka thënë avokati i tij, duke përfshirë edhe kërkesën për lirim me kusht.

“Arrestimi nga Prishtina në Holandë ka qenë i mirë. Unë jam invalid në shkallën e invaliditetit 75 për qind. Ata kur e morën vesh më kanë respektuar shumë. Në paraburgim sillen në mënyrën më korrekte ndaj meje, duke parë se jam invalid”, u shpreh Gucati, duket potencuar se “s’kam çfarë të shtoj. Ato që i thotë avokati, aty do të jemi”.

Në ndërkohë gjykatësi i seancës ka thënë se kjo është vetëm një seancë e parë informuese dhe ka konstatuar se Gucati është vetëm i dyshuar dhe jo i akuzuar.

Për Gucatin “eksiton dyshim i bazuar që mbanë përgjegjësi penale për frikësim gjatë procedimit penal, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, pohoi gjykatësi.

Ai gjithashtu konstatoi se arrestimi dhe gjykimi eventual i Gucatit “është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara”.

“Seanca e sotme nuk është gjykim, nuk janë ngritur ende akuza, nuk është paraqitur ende aktakuzë, në këtë seancë nuk paraqiten prova, nuk diskutohet fajësia ose pafajësia”.

Më pas Gjykata ka sqaruar më në detaje se për çfarë konkretisht dyshohet Gucati, çka ka sjellur edhe deri tek arrestimi i tij.

“Së pari ekziston dyshim i bazuar se Gucati është penalisht përgjegjës për orvatje të kryerjes së veprës penale të frikësimit gjatë procedimit penal. Ekziston dyshim i bazuar se Gucati mbajti tri konferenca për shtyp ku ai shpërndau dhe vuri në dispozicion të mediave informacion dhe dokumente konfidenciale dhe jo publike dhe nuk bëri asnjë ndërhyrje kur Nasim Haradinaj përmendi me emra disa dëshmitarë të mundshëm dhe përmendi të dhënat për ta”, është thënë në prezantimin për arsyet e arrestimit të kryetarit të OVL-së.

“Kjo sjellje përbën kërcënim të rëndë që e nxitë një person që të mos jap deklaratë, ose të jap deklaratë të rreme”.

“Së dyti, ekziston dyshim i bazuar se Gaucati është përgjegjës për veprën penale të hakmarrjes. Konkretisht ekziston dyshim i bazuar se Gucati mbajti tri konferenca për shtyp ku ai shpërndau ose vuri në dispozicion të mediave ku përfshinë emra dhe të dhënë të dëshmitarëve të mundshëm, duke i ekspozuar këta individë me kërcënime të mundshme. Kjo përben synim për hakmarrje”.

“Së treti, ekziston dyshim i bazuar se Gucati është përgjegjës për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

“Arrestimi është i domosdoshëm sepse rrethanat konkrete tregojnë se është rrezik të arratiset, ai ka mundësi, motiv dhe mjetet që ta pengojë zhvillimin e rregullt të procesit”.

Pas këtij prezantimi gjykatësi ka kërkuar nga prokuroria që të caktojnë përafërsisht një afat se kur do të jetë gati aktakuza e plotë për Gucatin.

“Shpejtësia e procedurës është një prioritet, por në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme që materialet provuese të jenë të plota. Është në interes të të gjitha palëve edhe në interes të të dyshuarit si dhe në interes të gjykatës. Unë vë në pah se veprat penale për të cilat është konstatuar dyshimi i bazuar janë deri në datën 22 shtator 2020, siç e kemi vënë në pah edhe më parë, janë disa hapa të domosdoshëm hetimorë që po ndërmerr zyra jonë, përfshirë edhe transkriptimin dhe materialet përkatëse audovizuale, kërkesat e dokumenteve nga palë të treta si dhe materialet e sekuestruara. Konfirmojmë që prokuroria ka ndërmend të dorëzojë aktakuzën brenda një periudhe 30 ditore”, ka njoftuar prokuroria nga Dhomat e Specializuara.

Gucati është paraqitur në këtë seancë të parë, pas asaj që e bëri nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj.

Derisa Haradinaj ka komentuar juridiksionin e gjykatës dhe ka thënë se nuk e njeh atë, Gucati vetë nuk ka folur shumë, duke lënë avokatin që ta bëjë mbrojtjen e tij./Insajderi.com