“Gulistan” paralajmëron se do t’i ndërmarr këta hapa pas arrestimit të mësuesve

“Gulistan” paralajmëron se do t’i ndërmarr këta hapa pas arrestimit të mësuesve

Institucionet Arsimore Gulistan, përmes një komunikate për media, bëjnë me dije se do të përdorin të gjitha të drejtat që i njohin Konventat ndërkombëtare dhe Evropiane, Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësitë ligjore të të gjithë personave dhe institucioneve, siç thuhet në njoftim të përfshirë në rrëmbimin e 5 mësimdhënëseve të këtij rrjeti shkollash.

“Besojmë se Kosova si shtet demokratik i ndërtuar në përputhje me standardet më të larta, do të adresojë në mënyrë institucionale përgjegjësinë ligjore të aktorëve të involvuar në këtë rast kaq të rëndë, në përputhje me vlerat e sundimit të ligjit e vlerat evropiane që ajo përfaqëson, duke siguruar që këto ngjarje, të cilat rrezikojnë rrugëtimin e saj evropian, të mos ndodhin më asnjëherë në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Në këtë njoftim, ky rrjeti i institucioneve shkollore thotë se aktivitetin në Kosovë e kanë filluar me ftesë të popullit shqiptar të Kosovës. Ndërsa prej vitit 2000, kur kanë nisur së funksionuari ata thonë të kenë respektuar në plotni ligjet e Kosovës.

Komunikatën e plotë të këtij institucioni po e japim të plotë e pa ndërhyrje:

Institucionet Arsimore Gulistan kanë filluar aktivitetin arsimor edukativ në Kosovë prej vitit 2000. Këto institucione janë hapur në bazë të kërkesës të popullit shqiptar të Kosovës si pasojë e ndihmës humanitare e arsimore që është dhënë në Shqipëri nga personeli i Kolegjit Mehmet Akif për popullsinë shqiptare të dëbuar nga shtëpitë dhe vendi i tyre prej përdorimit të dhunës dhe gjenocidit nga forcat serbe”.

Institucionet tona që nga dita e parë e aktivitetit kanë zbatuar me përpikëri ligjet e Republikës së Kosovës. Gjithashtu i kanë kushtuar rëndësi të veçantë cilësisë së arsimit të ofruar e aktualisht numërohen shumë arritje në fusha të ndryshme shkencore, kombëtare dhe ndërkombëtare (238 medalje në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare). Cilësia në mësimdhënie e shkollave tona është vërtetuar edhe nga rreth 2000 maturantë tanë të cilët kanë vazhduar studimet e larta në universitetet më të mira brenda dhe jashtë vendit.

Ashtu siç i gjithë opinioni publik është në dijeni, më 28 mars 2018 pesë kolegët tanë mësimdhënës janë kidnapuar në mënyrë të paligjshme në kundërshtim me parimet demokratike të cilat mbi gjithçka tjetër respektojnë të drejtat individuale të çdo njeriu pavarësisht përkatësisë etnike, besimit, bindjeve politike apo ideologjike, si parime të patjetërsueshme të mishëruara në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Nga kjo ngjarje janë të pikëlluar i gjithë personeli arsimor i Institucioneve Arsimore Gulistan, nxënësit tanë, prindërit si dhe i gjithë populli i Kosovës.

Vëmë në dijeni gjithë opinion publik se Institucionet Arsimore Gulistan do të përdorin të gjitha të drejtat që i njohin Konventat ndërkombëtare dhe Evropiane, Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësitë ligjore të gjithë personat dhe institucionet të përfshirë në rrëmbimin.

Besojmë se, Kosova si shtet demokratik i ndërtuar në përputhje me standardet më të larta, do të adresojë në mënyrë institucionale përgjegjësinë ligjore të aktorëve të involvuar në këtë rast kaq të rëndë, në përputhje me vlerat e sundimit të ligjit e vlerat evropiane që ajo përfaqëson, duke siguruar që këto ngjarje, të cilat rrezikojnë rrugëtimin e saj evropian, të mos ndodhin më asnjëherë në të ardhmen.

Bëjmë me dije, nxënësit tanë, prindërit si dhe gjithë opinionin publike, që jemi të vendosur të vazhdojmë aktivitetin arsimor dhe edukativ me gjithë këto ndodhi fatkeqe. Arsimi dhe edukimi i planifikuar do të vazhdojë me të njëjtën cilësi dhe rigorozitet! Për këtë do të bëhen përforcime në personelin mësimor në mënyrë që të zëvendësohen profesorët e kidnapuar.

Në këtë ngjarje të vështirë dhe trishtuese që po jetojmë, dëshirojmë të FALENDEROJMË të gjitha ata të cilët nuk na kanë lënë vetëm por na kanë mbështetur gjatë gjithë rrugëtimit tonë.

FALENDEROJMË:

Nxënësit tanë,

Prindërit,

Maturantët tanë,

Përfaqësuesit e organeve të shtypit,

Gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore,

Ambasadorët e atashuar në Kosovë si dhe Shefat e Misioneve,

Organizatat e shoqërisë civile.

Gjithashtu FALENDEROJMË të gjithë ata vullnetarë që na kanë ndihmuar të shprehim e transmetojmë me anë të medias sociale në shumë vende të botës, vështirësitë e tronditjen që kemi pësuar.

Me shpresë që një ngjarje e tillë të mos ndodhë më asnjëherë!!!