Haga fton një epror të lartë të UÇK-së, dyshohet për krime kundër popullatës civile

Mahir Hasani, një nga komandantët e UÇK-së, që është marrë më Zbulim kundër Zbulim, dyshohet se është i përfshirë në një rast të vrasjes së civilëve serbë në Zoqishtë të Rahovecit, ka zbuluar Insajderi. Ai do të paraqitet para prokurorëve në Hagë më 11 shkurt të këtij viti. Hasani, ka mohuar se është ftuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Haga fton një epror të lartë të UÇK-së, dyshohet për krime kundër popullatës civile

Një nga themeluesit e parë të UCK-së, është ftuar në Hagë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte kundër popullatës civile.

Mahir Hasani, një nga komandantët e UÇK-së, që është marrë më Zbulim kundër Zbulim, dyshohet se është i përfshirë në një rast të vrasjes së civilëve serbë në Zoqishtë të Rahovecit, ka zbuluar Insajderi.

Hasani, është dekoruar muajin e kaluar me Medalje Presidenciale të 10-vjetorit të Pavarësisë. Mes të dekoruarve janë edhe Kadri Kastrati, Binak Gashi, Mensur Kasumi, Hysni Ahmeti dhe dëshmori Agim Qela.

“Kosova e kishte krijuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, para se ta shpallte pavarësinë e saj. Një dekadë pas, në këtë fundvit kur unanimisht në Kuvend u votua krijimi i Ushtrisë së Republikës së Kosovës, me Medaljen Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë i dekorova disa prej oficerëve të parë të UÇK-së”, pati njoftuar Thaçi.

Insajderi ka mësuar se Hasani, është konsultuar dhe ka marrë këshilla nga Ministria e Drejtësisë së si do të veprojë para udhëtimit në Hagë. Ka folur edhe për pagesën e një avokati mbrojtës që do ta përfaqësojë gjatë intervistimit si i dyshuar për krime lufte. Tashmë e ka angazhuar njëri prej tyre.

“I dyshuari tashmë ka ndërmarrë veprime konkrete për mbrojtje. Ka folur me disa avokatë të licencuar në Dhomat e Specializuara”, ka thënë një burim.

Hasani, vlerësohet se ka pasur rol të madh në Zonën e Pashtrikut. Në ftesën e Prokurorisë shkruan se Hasani, ftohet në cilësi të të dyshuarit për krime lufte.

I kontaktuar nga Insajderi, Hasani ka mohuar se ka marrë ftesë.

“Jo bre nuk është e vërtetë, kush ju tha juve”, ka thënë shkurt Hasani për Insajderin.

Hasani, aktualisht është koordinator i Qendrës Operative Emergjente në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ndërkohë, më 9 janar pritet të shkojë në Hagë, Sylejman Selimi , ish-komandant i Përgjithshëm i UÇK-së.

Selimi, është i dënuar për krime lufte në Kosovë më 7 vjet burgim. Është duke vuajtur dënimin.

Ftesë për Hagë ka marrë edhe Sami Lushtakun, ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Rrustem Mustafa ish-komandat i Zonës Operative të Llapit, Nazif Mehmeti, vartës i tij. Në Kosovë deri tash janë intervistuar, Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së dhe Safet Syla.

Më 14 janar në Hagë do të paraqitet edhe Sabahajdin Cena, drejtor i Drejtorisë Publike Civile të Zonës Operative të Pashtrikut.

Një epror i UÇK-së, tashmë është arratisur. Remzi Shala, i njohur si “Molla e Kuqe” i cili ka qenë duke u gjykuar për krime lufte në Kosovë, ka refuzuar të bashkëpunojë me Hagën.