
Komisioneri evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn, ka thënë sot në Shkup se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Europian përderisa nuk garanton liri të plotë të mediave dhe pavarësi në punën e gazetarëve.
Në paraqitjen e tij, Hahn tha se dhuna ndaj gazetarëve në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është evituar, përkundrazi, sipas tij, ajo është rritur.
Më tej, gjatë fjalimit të tij ai bëri thirrje për mekanizmat e drejtësisë të bëjnë më shumë për këtë gjë.
Liria e medias nuk mund të ekzistojë pa një gjyqësor të pavarur, ka theksuar Hahn, njofton Klan Kosova.